Përgjimi Ligjor i Telekomunikimeve në Kosovë: Implikimet për Sigurinë

 

Publikuar nga: Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë

Raporti: Përgjimi Ligjor i Telekomunikimeve në Kosovë: Implikimet për Sigurinë

Hulumtues: Shpend Kursani

Data: 27.10.2011

 

Duke shikuar nga këndvështrimi i një mjedisi të përbërë nga një numër i madh i aktorëve të sigurisë në Kosovë, ky dokument bënë vlerësimin e përgjimit të telekomunikimeve në Kosovë si një masë e ndjeshme hetimi por mjaft efikase në të njëjtën kohë. Dokumenti bënë një shtjellim të detajuar të problemeve të tanishme sa i përket përgjimit të telekomunikimeve e që përfshinë të metat në legjislacionin e tanishëm, përzierjet e përgjegjësive që krijohen si rezultat i pa përcaktimit të qartë të autoritetit mbi ekzekutimin e urdhrave për përgjimin e telekomunikimeve, dhe mungesa e bashkëpunimit jo vetëm midis aktorëve vendorë dhe ndërkombëtar të sigurisë, por edhe i bashkëpunimit përbrenda institucioneve vendore të sigurisë në Kosovë. Duke mos u përkufizuar vetëm në institucionet e sigurisë, ky dokument po ashtu analizon procedurat dhe bashkëpunimin që ekziston midis institucioneve të sigurisë dhe operatorëve të telekomunikacionit si dhe kapacitetet infrastrukturore të tyre të cilat janë të rëndësishme në pengimin e keqpërdorimeve të të dhënave private përgjatë procesit të përgjimit ligjor të telekomunikimeve. Duke u bazuar në objektivat e politikave që parashtrohen, ky dokument jep edhe rekomandimet e politikave të cilat mes tjerash përfshinë përmirësimin e legjislacionit të tanishëm, themelimin e një sistemi qendror që do ta përmirësonte bashkëpunimin midis të gjithë aktorëve të sigurisë, përmirësimin e mekanizmave të tanishëm si dhe krijimin e mekanizmave të ri për inspektim dhe monitorim. Zbatimi i rekomandimeve në njërën anë do të siguronte një përgjim ligjor më efektiv të telekomunikimeve dhe në anën tjetër do të mundësonte mbrojtjen e intimitetit si e drejtë themelore njerëzore.