Anëtarësimi dhe përfaqësimi i Kosovës në nismat rajonale të sigurisë

Publikuar nga:

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)


Titulli:

Anëtarësimi dhe përfaqësimi i Kosovës në nismat rajonale të sigurisë


Autor:

Donika EMINI

 

Data:

10 Shtator 2014

 

Gjatë viteve të fundit kanë filluar të inicohen një varg nismash rajonale në Evropën Juglindore, të cilat janë mbështetur kryesisht prej institucioneve të Bashkimit Evropian (BE), shteteve anëtare të BE-s, si dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA). Pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ka treguar gatishmëri të vazhdueshme, si dhe ka ndërmarrë veprime, që t’i bashkohet nismave rajonale të sigurisë. Aktualisht ekzistojnë rreth dyzet nisma rajonale që merren me një varg sektorësh/çështjesh që kanë të bëjnë me bashkëpunimin policor, me sektorin e gjyqësisë, të ushtrisë, si dhe me emergjencat. Disa prej tyre veçse janë pjesë e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (KBR), mirëpo Kosova është pjesë e vetëm disa prej tyre, drejtpërdrejtë - përmes përfaqësimit të institucioneve shtetërore, ose përmes pranisë ndërkombëtare.

Kosova, në veçanti, ka vështirësi sa i përket qasjes së saj në nismat rajonale në sektorin e sigurisë. Përderisa anëtarësimi i Kosovës, tash së voni, në KBR është pritur t’ia hapë dyert e përfaqësimit dhe të qasjes në nismat e tjera rajonale të sigurisë, të gjeturat e këtij studimi, megjithatë, tregojnë se progresi në këtë drejtim është mjaft i kufizuar dhe shoqërohet me sfida nga më të ndryshme. Duke qenë anëtare e re, Kosova ka kufizime në përfitimet që mund të vijnë prej veprimeve dhe aktiviteteve të përbashkëta në fushën e sundimit të ligjit, të drejtësisë dhe të sigurisë. Si pasojë e kësaj, sfidohen seriozisht edhe marrëveshjet politike të arritura në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe vet koncepti i bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor.