Çka tutje me FSK: Ushtri apo jo?

Publikuar nga:

Forum 2015

 

Titulli:

Çka tutje me FSK: Ushtri apo jo?

 

Autor:

Armend MUJA

 

Data:

18.06.2013

 

Sektori i sigurisë në Kosovë ka kaluar në tri faza të zhvillimit: Faza e parë (1999-2005) ngërthente fazën e themelimit të sektorit të sigurisë nga "zeroja"  ku prania ndërkombëtare kishte rol ekzekutiv; faza e dytë (2005-2008) karakterizohej nga procesi i kalimit fillestar të përgjegjësive nga prania ndërkombëtare tek vendorët; si dhe faza e tretë (2008-2013) reflektonte arkitekturën e re të sigurisë (të bazuar në Planin e Ahtisaarit) që rezultoi në krijimin e institucioneve të reja të sigurisë ku u dallua Forca e Sigurisë së Kosovës.

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) u ndërtua fillimisht me qëllim të kryerjes së detyrave në sferën e mbrotjes civile, asistimit të organeve të rendit dhe de-minimit. Ajo ishte dhe mbeti një ndër institucionet më të besuara në vend dhe si rrjedhojë konsiderohet shtyllë e shtetësisë së vendit. Gjatë periudhës pesë-vjeçare FSK arriti të dëshmoj kapacitetet e saja në përmbushjen e mandatit aktual mirëpo institucioni u karakterizua me dobësi në sferën e qeverisjes së mirë dhe sidomos qeverisjes financiare përfshirë dhe sfida tjera në ngritjen e kapaciteteve profesionale. Megjithatë, sfidat që karakterizuan ndërtimin e këtij institucioni nuk privuan atë në fillimin e rishikimit të mandatit ashtu siç parashihet me Planin e Ahtisaarit ku shprehimisht lejohet rishikimi pesë vite që nga data e themelimit të saj. Arsyeja e propozimit të një mandati të ri konsiston në nevojën e konsolidimit të një institucioni që buron nga "poshtë-lartë" e jo nga "lartë-poshtë", duke iu referuar faktit që deri më tani institucionet e sigurisë në vend (dhe sidomos FSK) ishin propozuar nga akterët e jashtëm që nuk morën në konsideratë kontekstin dhe nevojat e brendshme.