Destinacioni në NATO: Alternativat e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO

Publikuar nga:

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)

Titulli:

Destinacioni në NATO: Alternativat e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO

Autor:

Plator Avdiu

Data:

18 Maj 2015

Përmes këtij raporti, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë synon të ofrojë zgjidhje dhe alternativa se si të ecë Kosova përpara në këtë drejtim. Raporti përmban dy skenarë dhe rekomandime konkrete drejtuar institucioneve të Kosovës dhe NATO-s për hapjen e bashkëpunimit zyrtar në mes të të dyja palëve. Gjithashtu, fokusi i këtij raporti është që të ndikojë tek institucionet duke i inkurajuar ato që të ndërmarrin hapa të guximshëm për të nxitur bashkëpunimin e Kosovës me vendet mike të Kosovës në NATO.

Ky raport adreson sfidat kryesore dhe marrëdhëniet e ndërlikuara që ekzistojnë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe NATO-s. Hulumtimi i QKSS-së ka nxjerrrë në pah se procesi i anëtarësimit të Kosovës në NATO sfidohet nga pengesa të jashtme dhe të brendshme. Kosova është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor që është jashtë procesit të zgjerimit të NATO-s. Për më shumë, vendi nuk ka vendosur ndonjë bashkëpunim dhe marrëdhënie zyrtare e kontraktuale me NATO-n. Kjo për shkakun të mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës nga katër vende të NATO-s, qëndrimit neutral të NATO-s ndaj Kosovës si shtet që prej shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008 dhe për shkak të zotimit të NATO-s që misioni i saj në Kosovë (KFOR-i) të vazhdojë të funksionojë në terren sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

 

Nga ana tjetër, as institucionet e Kosovës, deri në kohët e fundit, nuk kanë treguar gatishmëri dhe angazhim praktik për anëtarësim në NATO. Që prej vitit 2008 deri në vitin 2014, Kosova nuk ka dëshmuar vullnet të vendosur politik për të kërkuar nisjen e bashkëpunimi zyrtar me NATO-n. Politikëbërësit e Kosovës kanë treguar vetëm angazhim deklarativ në lidhje me integrimin në NATO. Tek në vitin 2014 aspirata e Kosovës për t’u anëtarësuar në NATO u bë prioritet për institucionet e Kosovës. Ndërsa, Kosova duhet të bëjë reforma të domosdoshme në mënyrë që të ketë bashkëpunim dhe koordinim sa më të mirë në mes të të gjitha institucioneve të vendit të përfshira në procesin e integrimit në NATO.