Angazhimi i të rinjve dhe komunitetit në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm - Drenas dhe Skenderaj

Gjatë kësaj jave, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), ka organizuar aktivitete në Komunën e Drenasit dhe Komunën e Skenderajit si pjesë e projektit “Parandalimi dhe luftimi i Ekstremizmit të Dhunshëm në Kosovë përmes angazhimit të rinjve dhe komunitetit” i cili përkrahet nga Ambasada Holandeze në Kosovë. Këto takime kanë për qëllim bashkëpunimin dhe fuqizimin në mes komunitetit dhe institucioneve të cilat janë pjesë e strategjisë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm që shpie në terrorizëm.

Pjesë e panelit në komunën e Drenasit ishin: Z. Ramiz Lladrovci, Kryetar nga komuna e Drenasit; Znj. Shqipe Bruqi, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë; Z. Skender Perteshi, Hulumtues në QKSS dhe Znj.Vesë Kelmendi -Hulumtuese në QKSS.

Ndërsa në Komunën e Skenderajit pjesë e panelit ishin: Z.Bekim Latifi, Drejtor i Arsimit Komuna e Skenderajit; Z. Mentor Vrajolli, Hulumtues i lartë në QKSS dhe znj.Vesë Kelmendi- Hulumtuese në QKSS.

Në të dyja takimet morrën pjesë akterët komunal, përfaqësuesit e këshillave të fshatrave të Komunës së Drenasit dhe Skenderajit, përfaqësuesit nga KKSB, pedagogët dhe përfaqësues nga këshilli i veprimit rinor lokal si dhe organizatat e shoqërisë civile.

Sipas pjesëmarrësve në këto takime çështje kryesore për nivelin nacional duhet të mbetet fuqizimi i të rinjëve duke krijuar më shumë hapësira për aktivitetet kulturore dhe sportive që të rinjtë të angazhohen në komunitetet e tyre. Për më tepër u theksua edhe roli i profesorëve, drejtorëve të shkollave si dhe përmirësimi i cilësisë së edukimit në shkolla të Kosovës.

Këto aktivitete u zhvilluan në kuadër të projektit “Parandalimi dhe luftimi i Ekstremizmit të Dhunshëm në Kosovë përmes angazhimit të të rinjëve dhe komunitetit” i cili përkrahet nga Ambasada Holandeze në Kosovë dhe implementohet në gjashtë komuna të Kosovës: Mitrovicë, Lipjan, Prishtinë, Skenderaj, Obiliq dhe Drenas.