Bashkëpunimi i akterëve shtetëror dhe jo-shtetëror në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm - Të arriturat dhe sfidat në Komuna e Prishtinës

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, ka organizuar sot, më 18 Korrik 2017 tryezën e rrumbullakët mbi implementimin e “Strategjisë Nacionale dhe Planit të Veprimit në Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpije në Terrorizëm 2015-2020” ku është diskutuar mbi të arriturat dhe sfidat e Komunës së Prishtinës në këtë drejtim.

Ky aktivitet mblodhi përfaqësues nga niveli lokal dhe qendror, shoqëri civile, media, përfaqësues të misioneve ndërkombëtare dhe  përfaqësues nga ambasadat në Kosovë.

Të ftuar në panel ishin:

Z. Dardan Sejdiu – Komuna e Prishtinës

Z. Agron Metolli –Policia e Kosovës

Z.Fitim Flugaj– Bashkësia Islame e Kosovës

Z. Florian Qehaja – Drejtor Ekzekutiv QKSS

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte të diskutohet mbi angazhimin e tanishëm të Institucioneve shtetërore dhe organizatave tjera jo-qeveritare në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës rreth parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm në Komunën e Prishtinës, me fokus në temat:

• Bashkëpunimi i aktorëve shtetërorë dhe jo shtetërorë në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm;

• Faktorët socio-ekonomik si element kyq në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm;

• Të arriturat dhe sfidat në parandalim të ekstremizmit të dhunshëm në Komunën e Prishtinës.

Drejtori ekzekutiv i QKSS-së, Z.Florian Qehaja prezantoj të arriturat e QKSS në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe kontributin e organizatës në hartimin e Strategjisë Nacionale dhe tregoi gatishmërinë e QKSS për bashkëpunim me institucionet shtetërore për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

Përfaqësuesi nga Policia e Kosovës, Z. Agron Metolli, tregoi rreth të arriturave dhe sfidave të Policisë së Kosovës në raport me një fenomen të ri për ta sic është bashkangjitja e qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja. Z. Metolli poashtu foli për ndikimin e organizatave të huaja në radikalizimin e qytetarëve të Kosovës dhe boshllëkun institucional që ato organizata e shfrytëzuan në Kosovën e pas luftës.

Ndërsa, Z. Dardan Sejdiu tregoi rreth strategjisë së Komunës e Prishtinës, sfidat dhe të arriturat e tyre në këtë drejtim dhe për rëndësinë e faktorëve socio-ekonomik për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

Ky aktivitet është organizuar në kuadër të projektit tre-vjeçar “Mbështetje e mëtejshme Institucioneve të Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe ekstremizmit të dhunshëm” I cili implementohet nga B&S Europe me mbikëqyrje nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës dhe financohet nga Instrumenti për ndihmë Para-anëtarësuese (IPA) si pjesë e Komisionit Evropian. Qendra Kosovare për Studime të Sigurise (QKSS) është nën-kontraktor i B&S Europe, dhe është përgjegjëse për implementimin e komponentës 4 të këtij projektit që merret specifikisht me mbështetjen e institucioneve qendrore dhe locale të Kosovës në implementimin e strategjisë së lartëpëmendur.