Fjalimi i drejtorit të QKSS-së me rastin e 10 vjetorit të themelimit

Zonja dhe zotërinj,

Të nderuar të pranishëm,

Më lejoni të ju uroj mirëseardhje në ceremoninë e shënimit të 10 vjetorit të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS).

QKSS u themelua me 17 prill 2008 si një institut i pavarur e jo-qeveritar me qëllim të bërjes së analizave, krijimit të politikave dhe organizimit të konferencave në sferën e gjerë të sigurisë. Nuk është koicidencë që themelimi i saj u bë në kohën kur Kosova shpalli mëvetësinë. Kjo sepse u lind nevoja e themelimit të një instituti të veçantë i cili do të merrej vetëm me çështjet e sigurisë.

Gjatë këtyre 10 viteve, ne kemi arritur të konsolidohemi përtej objektivave tona fillestare duke u bërë jo vetëm referencë për studime të sigurisë në Kosovë mirëpo duke u pozicionuar mjaft mirë në arenën hulumtuese rajonale e ndërkombëtare. Ekipi ynë, jo vetëm se përmbushi qëllimet për të shërbyer si ekspertizë alternative në sferën e sigurisë mirëpo edhe mbuloi boshllëkun hulumtues akademik duke i ofruar kësisoji studentëve tanë e ndërkombëtar hulumtime kredibile të bazuara në evidencë.

Që nga viti 2008 QKSS publikoi mbi 100 hulumtime në formë të analizave apo raporteve të cilat patën një impakt tejet të madh. Ne organizuam me qindra konferenca dhe punëtori ku përfituan një numër shumë i madh i akterëvë nga Kosova, rajoni dhe bota. Ne arritëm që të jemi pjesë e platformave kyçe rajonale e ndërkombëtare duke vendosur jo vetëm QKSS-në në një pozicion të lartë por edhe duke promovuar vlerat hulumtuese e shtet-ndërtuese të Kosovës.

Puna jonë pati ndikim konkret në shumë fusha. Këtu vlen të theksohet posaçërisht zvogëlimi dhe parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm ku angazhimi i stafit vërtetë u vlerësua në të gjitha nivelet. Ne kontribuam në përafrimin e standardeve të sektorit të sigurisë në qeverisjen e mirë dhe ngritjen e integritetit.  Ne avokuam me sukses në përfafrimin e Kosovës ne nismat rajonale të sigurisë si dhe në NATO.

QKSS është mirënjohëse akterëve të shumtë të cilët financiarisht na përkrahën në arritjen e misionit tonë. Po i përmendi disa: Bashkimi Evropian, Departamenti Amerikan i Shtetit, NATO, Qeveria Norvegjeze, Qeveria Zvicerrane, NED SHBA, Fondacioni Soros e kështu me rradhë.

Ne jemi të inkurajuar që misionin tonë për bërjen e analizave, avokimin dhe ngritjen e kapaciteteve ta vazhdojmë edhe në te ardhmen sepse besojmë se kësisoji kontribojmë në ndërtimin e shoqërisë dhe shtetit.