Fuqizimi i integritetit në Policinë e Kosovës

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) sot, më 21 dhjetor në kuadër të projektit rajonal POINTPULSE, organizoi në Prishtinë konferencën për integritetin e policisë në Kosovë me titull "Fuqizimi i integritetit në Policinë e Kosovës". Konferenca theksoi në veçanti menaxhimin e burimeve njerëzore në këtë institucion dhe rolin e Inspektoratit Policor të Kosovës në ruajtjen dhe fuqizimin e integritetit të Policisë.

Të ftuar në konferencë ishin:

Z. Brahim Sadriu nga Policia e Kosovës

Z. Bujar Mustafa nga Inspektoratit Policor të Kosovës

Z. Nuredin Ibishi njohës i çështjeve të sigurisë

z. Shpat Balaj, QKSS

Panelisti nga Policia e Kosovës z. Brahim Sadriu theksoi se Policia ka filluar zbatimin e planit të integritetit në janar të këtij viti dhe në këtë fazë zbatimi i tij ka qenë i fokusuar në krijimin e rrjetës raportuese. Sipas z. Sadriu deri më tash është raportuar 3 herë në periudha 3 mujore dhe gjatë muajit Janar 2019 pritet të dalë edhe raporti final për vitin paraprak.

Përfaqësuesi i Inspektoratit Policor të Kosovës z. Bujar Mustafa deklaroi se IPK vazhdon të bëjë inspektime të rregullta në Policinë e Kosovës, dhe një i tillë është bërë gjatë muajve të fundit pikërisht në menaxhimin e burimeve njerëzore. IPK konsideron se aspekti i menaxhimit të burimeve njerëzore në PK është pozitiv marrë parasysh dinamikën e tij në këtë institucion. Janë hasur probleme në shpërndarjen e zyrtarëve në pozita adekuate për gradën e tyre. Për më tepër, IPK konsideron se ka hapësirë për përmisime edhe në menaxhimin e dosjeve të personelit policor dhe theksojnë se duhet të ketë modifikime në rregulloren e marëdhënises së punës.

Ndërsa z. Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë, thekson rëndësinë e funksionalizimit dhe zbatimit të testit të integritetit. Testi i integritetit është i paraparë të kryhet nga IPK-ja dhe dokumenti rregullues egziston, megjithatë nuk po gjen zbatim efektiv në praktikë. Z. Ibishi poashtu e vuri në pah domosdoshmërinë e hartimit të planit të integritetit për IPK-në, si hap i rëndësishëm për garantimin e integritetit në arkitekturën e sigurisë së Kosovës.

Kjo konferencë u organizua në kuadër të projektit Pulsi i Ballkanit Perëndimor për Integritetin dhe Mirëbesimin e Policisë. Projekti mbështetet nga Bashkimi Evropian përmes programi per  Shoqërisë Civile. Pikëpamjet e shprehura në projekt janë ekskluzivisht pikëpamjet e QKSS dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.