Konferencë në Graçanicë: Ushtria e Kosovës - Për kë dhe për çfarë?

Konferencë:

Ushtria e Kosovës: Për kë dhe për çfarë

Data:

24 maj 2017

Vendi:

Hotel Ulpiana, Graçanicë

 

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), sot, më 24 maj 2017,  në bashkëpunim me New Social Initiative ka organizuar sot konferencën me temën “Ushtria e Kosovës: Për kë dhe për çfarë” në Graçanicë.

Kjo konferencë është mbajtur në kuadër të aktiviteteve të QKSS-së për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forca të Armatosura të Kosovës me qëllim diskutimin e kësaj çështje me qytetarët e komunitetit serb në Kosovë si dhe për t’u njohur me qëndrimet e këtij komuniteti në lidhje me këtë çështje.

Të ftuar si panelistë në konferencë ishin:

- Z. Florian Qehaja, Drejtor Ekzekutiv në QKSS

- Z. Nenad Maksimovic, Qendra për Paqe dhe Tolerancë

- Z. Aca Mitic, Iniciativa e re shoqërore.

Duke marrë parasysh se transformimi i FSK-së në ushtri të ardhshme të Kosovës përmes ndryshimeve ligjore ka hasur në kundërshtim të bashkësisë ndërkombëtare, të cilët kanë kërkuar që procesi të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese, edhe në këtë konferencë janë shpalosur qëndrime të ndryshme sa i përket themelimit të ushtrisë së Kosovës.

Drejtori ekzekutiv i QKSS-së, Florian Qehaja, ka theksuar se pavarësisht mendimeve dhe pozicioneve të ndryshme për këtë temë duhet të diskutohet hapur për të ditur se cili është pozicioni i të gjitha palëve në proces, përfshirë komunitetin serb në vend. “Qëllimi është formimi i një institucioni të sigurisë dhe QKSS avokon që ushtria të jetë shumetnike. Në bazë të një vlerësimi, FSK-ja është gati të plotësojë kuotën e përfaqësimi etnik e cila parashihet të jetë diku rreth 10 përqind. Por, ne nuk avokojmë vetëm për kuota, por edhe kushte për minoritete me mundësi për të marrë pjesë në trajnime jashtë vendit dhe për të avancuar në karrierë brenda FSK-së”, ka deklaruar Qehaja.

Ai ka përmendur argumentet pse duhet të themelohet ushtria duke potencuar se KFOR-i nuk do të qëndrojë përgjithmonë në Kosovë. Për këtë arsye shtrohet nevoja e zëvendësimit të rolit të KFOR-it nga ushtria e Kosovës, ndonëse kjo do të marrë kohë deri në dhjetë vite për marrjen e kapaciteteve të plota. Argument tjetër shtesë është zhvillimi i pronësisë vendore, gjegjësisht qytetarët e Kosovës duhet të bëhen pronarë të sigurisë me qëllim që mos të jemi vetëm konsumues të sigurisë nga të tjerët. Kjo, sigurisht, duhet të bëhet në mënyrë gjithëpërfshirëse me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve për arsye se ushtria është element i rëndësishëm i çdo shteti dhe Kosova në këtë aspekt ka për qëllim anëtarësimin në BE e NATO ku mund të jap kontribut duke marrë pjesë në misione të ndryshme paqeruajtëse.

Në këtë diskutim u përmend që transformimi i FSK-së nuk duhet të shihet në mënyrë konvencionale dhe politike për shkak se ushtria e Kosovës do të ndërtohet gradualisht me kapacitete defensive dhe me armatim të lehtë, por pa qëllime ofensive. Ndërsa, për nismën e fundit për transformimin e FSK-së përmes ndryshimeve ligjore u konstatua se nuk ishte shteruar debati me komunitetin serb në Kosovë dhe se kjo duhet të bëhet duke marrë për bazë sugjerimet e bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht të BE-së, NATO-s dhe SHBA-së. Për më tepër, Qehaja ka shtuar se formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës duhet të bëhet përmes bashkëpunimit bilateral me SHBA-në, Britaninë e Madhe Gjermaninë dhe vendet tjera. Prandaj, është e nevojshme të diskutohet me përfaqësuesit e komunitetit serb në mënyrë që të dëgjohen kërkesat e tyre dhe të merret pëlqimi nga ta sa i përket procesit të transformimit të FSK-së.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Qendrës për Paqe dhe Tolerancë, Nenad Maksimović, ka shprehur qëndrimin e tij se serbët në Kosovë nuk kanë asnjë dobi nga themelimi i ushtrisë së Kosovës duke potencuar se perceptimi i shumicës së serbëve në Kosovë është se nuk ndihen të sigurt në Kosovë. Sipas tij, nuk ekzistojnë argumente të cilat do t’i bindnin serbët për të dhënë pëlqimin e tyre në lidhje me transformimin e FSK-së në ushtri. Ai ka thënë se nuk qëndron argumenti se ushtria e Kosovës duhet të themelohet për shkak të një sulmi të mundshëm të Serbisë kundër Kosovë. “Në Kosovë kemi përgjegjës për siguri KFOR-in ose NATO-n. Nuk ekziston mundësia teorike që ushtria serbe të mund të kalojë në territorin e Kosovës pa miratimin paraprak të NATO-s ose të përleshet me NATO. Argumenti që Serbia do të mund të rrezikonte Kosovën nuk bazohet në realitet”, ka theksuar Maksimović.

Ai ka konsideruar se ushtria serbe nuk është ashtu siç ka qenë në të kaluarën dhe trendi tregon që ajo është në rënie dhe duke u dobësuar. Sa i përket çështjeve të brendshme të Kosovës, Maksimović ka ndarë pikëpamjen se institucionet e Kosovës po merren me tema të mëdha siç është transformimi i FSK-së duke lënë në plan të dytë zhvillimin ekonomik, mirëqenien e qytetarëve dhe sundimin e ligjit. Në këtë drejtim, ai është shprehur se ndërtimi i ushtrisë do të mund t’i kushtojë shumë buxhetit të Kosovës dhe në vend të kësaj, sipas tij, është më mirë të forcohen institucionet ekzistuese sesa të investohet në ushtri.

QKSS-ja do të vazhdojë të mbajë debate publike me qytetarët dhe shoqërinë civile të komunitetit serb në Kosovë sa i përket transformimit të FSK-së. Në këtë konferencë kanë marrë pjesë përfaqësues të ambasadave të huaja të akredituara në Kosovë, përfaqësues të KFOR-it, shoqërisë civile, mediat dhe njohës të çështjeve të sigurisë.