Lansimi i raportit: Barometri Kosovar i Sigurisë - Edicioni i shtatë

Konferencë:

Barometri Kosovar i Sigurisë – Edicioni i shtatë

 

Data:

01 shkurt 2018

 

Vendi:

Qendra e konferencave "Orion", Prishtinë

 

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, sot, më  1 shkurt 2018, ka bërë lansimin e rezultateve të Edicionit të shtatë të raportit: Barometri Kosovar i Sigurisë. Edhe këtë vit, në këtë raport janë përmbledhur rezultatet e perceptimeve të respodentëve lidhur me besueshmërinë, nivelin e korrupsionit në institucionet e drejtësisë dhe sigurisë, të ardhmen e institucioneve të sigurisë, si dhe perceptimet lidhur me kërcënimet dhe rreziqet e jashtme dhe te brendshme.

Sa i përket besueshmërisë, edhe në këtë edicion rezultatet tregojnë se Institucioneve të sigurisë vazhdohet të ju besohet nga ana e qytetarëve shumë më shumë se gjyqësorit apo institucioneve të zgjedhura. Madje, krahasuar me një vit më parë, besimi i qytetarëve sidomos ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës rezulton të jetë rritur dukshëm (nga 67% në 2016 në 78% në këtë vit). Rritje pati edhe ndaj Policisë se Kosovës (nga 56 % në 2016 në 61% në këtë vit). Ndërkohë, besueshmëri të lartë qytetarët e Kosovës vazhdojnë të shfaqin edhe ndaj KFOR-it.

Në anën tjetër, niveli i besimit të qytetarëve ndaj gjyqësorit vazhdon të mbetet i ulët edhe në këtë vit, ku vetëm rreth ¼ e qytetarëve deklaruan se i besojnë Gjykatave apo Prokurorisë. Po ashtu, përkundër që Kuvendi dhe Qeveria posa kishin filluar punën e tyre në format të ri si rezultat i zgjedhjeve demokratike të Qershorit, kjo rezulton të mos ketë shfaqur ndonjë entuziazëm tek qytetarët ndaj këtyre dy institucioneve. Andaj, me vetëm rreth 1 në çdo 6 të anketuar, edhe në këtë vit sikurse një vit më parë, këto dy institucioneve rezultuan të jenë më së paku të besuara, krahasuar me të gjitha institucionet e tjera të matura. Për fund, besimi i qytetarëve vazhdoj të mbetet shumë i ulët edhe sa i përket EULEX (me vetëm rreth 1 në çdo të 4 të anketuar).

Vlen të përmendet se risi e këtij edicioni të BKS është se përveç ofrimit të rezultateve të përgjithshme sa i përket besueshmërisë, kësaj radhe ky raport përmban edhe rezultate të thelluara të nxjerra nga krostabulimi i të dhënave sipas përbërjes së mostrës së të anketuarve. Kështu, sipas këtyre nën-rezultateve të nxjerra del se të anketuarit nga zonat rurale duket se u besojnë  pak më shumë institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë, krahasuar me ata nga qendrat urbane, përkundër këta të fundit mund të kenë kontakte më të rregullta me këto dy palë institucionesh. Poashtu, të anketuarit nga rajoni i Mitrovicës Jugore shfaqin besim më të madh në institucionet e sigurisë  dhe drejtësisë, krahasuar me katër komunat veriore të dominuar nga serbët që kanë shprehur nivel shumë të ulët të besimit. Ndërkohë, e njëjta gjë është vërejtur edhe gjatë analizimit të të dhënave nga këndvështrimi etnik.

Rezultatet treguan se komuniteti serb i Kosovës në përgjithësi vazhdon të ketë më pak besim në të gjitha institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në Kosovë, ndonëse kjo diferencë ishte më e theksuar në 4 komunat në veri të Kosovës. Gjetje të rëndësishme dolën edhe kur rezultatet e besueshmërisë i matën nga këndvështrimi gjinor. Respektivisht rezultatet treguan se gratë kanë më shumë besim në institucionet e sigurisë dhe drejtësisë se sa burrat. Kjo ishte veçanërisht evidente për institucionet e sundimit të ligjit (policinë, prokurorinë dhe gjykatat) gjë që mund të interpretohet në dy këndvështrime, lojalitet më i madh ndaj institucioneve shtetërore, apo ndjenjë varësie më të madhe. Burrat në anën tjetër shfaqën nivel më të lart besimi ndaj FSK-së, ndërkohë që ndaj institucioneve treguan skepticizëm më të theksuar se sa gratë. Ndërkohë, edhe si përket moshës gjetjet treguan se dallim në perceptime në mes gjeneratash, respondentët mbi 35 vjeç ju besojnë institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë më shumë se gjeneratat më të reja.

Gjetje interesante rezultuan edhe nga përgjigjet e qytetarëve rreth kërcënimeve dhe rreziqeve. Në pyetjen e hapur të shtruar të anketuarve se cilat janë kërcënimet kryesore me të cilat Kosova ballafaqohet, sipas radhës përgjigjet më të shpeshta të tyre ishin këto: Gjendja socio-ekonomike, tensionet politike, tensionet në mes të Kosovës dhe Serbisë, krimi ordiner, ekstremizmi i dhunshëm dhe rreziqet natyrore.

Të anketuarit u pyetën edhe për secilin kërcënim veç e veç. Rezultatet nga përgjigjet e dhëna nga to treguan se: rreth 90% e të anketuarve i konsiderojnë korrupsionin, krimin e organizuar dhe papunësinë si kërcënime shumë serioze. Rreth 3/4 e të anketuarve konsiderojnë se de-stabilizimi në pjesën veriore,  konfrontimet politike dhe ekstremizmi i dhunshëm gjithashtu paraqesin një kërcënim serioz. Kërcënimet e perceptuara më së paku ishin rreziqet nga fatkeqësitë natyrore.

Rezultatet nga analizimi më i detajuar i rezultateve të pothuajse të gjitha kërcënimeve dhe rreziqeve të matura treguan se: të anketuarit në zonat urbane ishin më të brengosur se ata në zonat rurale; të anketuarit nga rajoni i Mitrovicës Veriore duket se ishin më pak të shqetësuar nga rreziqet dhe kërcënimet që i kanosen Kosovës, krahasuar me të anketuarit nga komunat e tjera të Kosovës; Serbët e Kosovës ndjehen më pak të kërcënuar nga të gjitha kërcënimet e matura të sigurisë kombëtare krahasuar me shqiptarët e Kosovës; gratë dhe të anketuarit më të vjetër se 35 vjeç ndjeheshin më të merakosur për rreziqet dhe kërcënimet e matura krahasuar me të anketuarit meshkuj ose më të rinj.

Përfund, në këtë edicion BKS ka bërë publike matjet edhe të të ashtu-quajturit “Perimetri i Sigurisë” ku sipas kësaj matjeje shumica e të anketuarve rezultuan se ndjehen më të sigurt në shtëpi ose në lagjet e  mbyllura krahasuar me fshatin/qytetin ose Kosovën në përgjithësi, duke treguar kështu më shumë një pasiguri (paqartësi) të qytetarëve rreth sigurisë afatgjate se sa ngritjen e ndonjë shqetësimi të madh lidhur me sigurinë e tyre personale.

Më tepër detaje në lidhje me rezultatet e anketës së BKS të zhvilluar në fillim të tetorit 2017 mund të

gjeni këtu.