Lansimi i raportit: Të kuptuarit e faktorëve lokal nxitës drejt ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) në bashkëpunim me Institutin Ndërkombëtar Republikan (IRI) kanë prezentuar sot gjetjet e raportit “Të kuptuarit e faktorëve lokal nxitës drejt ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë”. Ky raport është bazuar në metoda kualitative të hulumtimit, kryesisht intervista të thella dhe focus grupe në katër komuna të Kosovës.

Pjesëmarrës në këtë lansim ishin përfaqësues nga Qeveria e Kosovës, përfaqësues të ambasadave ndërkombëtare në Kosovë, përfaqësues të shoqërisë civile si dhe përfaqësues nga Policia e Kosovës.

Disa nga rekomandimet kryesore që dalin si pasojë e gjetjeve të këtij raporti janë: të përmirësohet transparenca duke u ofruar qytetarëve qasje në informata lidhur me vendimmarrjen e qeverisë dhe qasje të përmirësuar në programet qeveritare; të hartohen politika dhe programe qeveritare më të përgjegjshme për ta parandaluar dhe luftuar ekstremizmin e dhunshëm dhe për të përmirësuar bashkërendimin midis autoriteteve kombëtare dhe lokale.