Publikimi i Edicionit Special të BKS mbi Politikën e Jashtme dhe Dialogun me Serbinë

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) më 17 dhjetor 2018, ka publikuar Edicionin Special të Barometrit Kosovar të Sigurisë mbi Politikën e Jashtme dhe Dialogun me Serbinë. Rezultatet e këtij edicioni janë prezentuar nga Hulumtuesja e QKSS, Donika Emini dhe u diskutuan nga Florian Qehaja, Drejtor Ekzekutiv në QKSS dhe Agon Maliqi nga Sbunker.

Ky edicion trajton temat si në vazhdim:

1. Perceptimet e publikut ndaj aktorëve relevantë rajonalë dhe ndërkombëtarë;

2. Perceptimet e publikut ndaj ndikimeve të jashtme në Kosovë dhe aleancave euro-atlantike;

3. Perceptimet e publikut ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë

Rezultatet e këtij edicioni edhe njëhere konfirmojnë orientimin pro-perëndimor të Kosovës duke listuar kështu ShBA-në dhe Gjermaninë si partner strategjike ndaj Kosovës. Në rajon Shqipëria dhe Kroacia mbeten vendet që konsiderohen si aleatë në politikën e jashtme dhe shtytës kryesorë të agjendës së anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Kurse, Serbia ende konsiderohet si vendi më armik ndaj Kosovës dhe rreziku më i madh ndaj sigurisë së Kosovës. Influenca e Serbisë është parë si shumë e rrezikshme, kjo duke ju referuar bllokimit të Kosovës ndërkombëtarisht si dhe ndikimi në politikën e brendshme përmes Listës Serbe.

Të dhënat mbi perceptimet për dialogun tregojnë se ekziston një mos-besim i madh kundrejt këtij procesi. Mungesa e transparencës është shkaku prapa listimit të palës tjetër si fituese. Kjo paranojë kolektive është krijuar nga ambiguiteti në gjuhën e marrëveshjeve.

Asociacioni i Komunave me shumicë serbe ende shihet si i rrezikshëm për funksionimin e brendshëm të Kosovës nga 80% e respondentëve. Kurse, 80% janë kundër shkëmbimit të territoreve si zgjidhje përfundimtare me Serbinë. Të pyetur se kush do të duhej të udhëhiqte dialogun, 15% janë deklaruar për Presidentin Thaç,i kurse 11.5% për Albin Kurtin. Besim i vogël është treguar ndaj Qeverisë dhe Kuvendit në këtë proces.