Publikimi i raportit: "Fushëbetejat e Reja – Aktiviteti i Grupeve Ekstremiste në Rrjetet Sociale në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni”

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar sot, më 30 nëntor 2017 raportin “Fushëbetejat e Reja – Aktiviteti i Grupeve Ekstremiste në Rrjetet Sociale në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni”, në kuadër të projektit “Mbështetje e mëtejshme e Institucioneve të Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe ekstremizmit të dhunshëm", projekt ky i cili implementohet ne kuadër të programit të IPA dhe implementohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë nëpërmjet B&S Europe.

Të ftuar për të prezantuar raportin dhe projektin nga i cili përkrahet ky raport ishin:

Mentor Vrajolli -  Hulumtues i lartë/Sekretar – QKSS

Massimiliano Prozzo -  Zyra e BE-së në Kosovë

Ian McDonald -  Udhëheqësi i Ekipit të Projektit të financuar nga BE-ja

Vesë Kelmendi -  Hulumtuese – QKSS

Shpat Balaj -  Hulumtues – QKSS

Me anë të këtij raporti u vunë në pah aspekte të ndryshme të propagandës online të përdorur nga grupet ekstremiste dhe përkrahësit e tyre në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni. Raporti përfshin analizën e mbi 150 profileve individuale dhe mbi 60 grupe  të hapura dhe mbyllura në platformën “Facebook”, mbi 5 kanale në “YouTube” dhe Chate publike të platformës “Telegram”. Në bazë të hulumtimit QKSS i  ka kategorizuar faqet propaganduese në 3 lloje të ndryshme 1)Pro dhunës dhe përkrahjes së grupeve ekstremiste; 2)Materiale propagandistike si thirrje për xhihad dhe mbështetje për imamët e burgosur dhe 3)Trendet dhe qëndrimet e tyre ndaj shtetit, institucioneve dhe shoqërisë në përgjithësi. QKSS ka identifikuar dhe analizuar faqet më të ndjekura dhe shpërndara dhe materialet nga profilet e përfshira në raport.

Platformat online janë lehtë të qasshme dhe përdorimi i tyre për qëllime të grupeve ekstreme tregon se ato po përdoren si armë e grupeve ekstreme dhe triumfi në të ashtuquajturën “Luftë Online” është sfidë serioze dhe esenciale për të parandaluar grupet e ndryshme në arritjen e qëllimeve të tyre.