Publikimi i raportit: Perceptimi i komunitetit serb kundrejt Policisë së Kosovës: mike apo armike?

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), sot, me datën 29 gusht 2019, publikoi raportin hulumtues me titull "Perceptimi i komunitetit serb kundrejt Policisë së Kosovës: mike apo armike?”.  Ky raport përmbledh gjendjen ekzistuese në lidhje me qëndrimin e komunitetit serb të Kosovës kundrejt PK-së në komunat me shumicë serbe, duke u fokusuar në katër komunat veriore të Kosovës. Punimi mbulon kontekstin e ngjarjeve dhe zhvillimeve kryesore, dhe e paraqet perceptimin publik kundrejt PK-së si rezultat të tensioneve politike në veri dhe gjendjes së përgjithshme të frikës në mesin e popullatës. Përveç kësaj, punimi analizon shqetësimet kryesore të sigurisë të komunitetit serb të Kosovës, si dhe ofron disa rekomandime për adresimin e shqetësimeve dhe sfidave të tilla nga këndvështrimi i komunitetit.

Nga kjo konferencë u konkludua se pavarësisht sfidave, integrimi në PK i komunitetit serb të Kosovës duhet të jetë një proces i vazhdueshëm. PK-ja duhet ta bazojë këtë proces në nevojat dhe sfidat e komunitetit serb të Kosovës, dhe t'u sigurojë anëtarëve të tij përfaqësim të duhur dhe vëmendje ndaj shqetësimeve të tyre të sigurisë. PK-ja dhe mekanizmat e tjerë lokalë të sigurisë duhet të ndërmarrin aktivitete të ndryshme për t'i bërë mandatet dhe punën e tyre të qarta për komunitetin serb të Kosovës.

Përvec prezantimit të raportit, u zhvillua edhe një diskutim në panel ku të pranishëm ishin:

- Z. Besim Hoti, Policia e Kosovës

- Z. Xhelal Sveçla, Komisioni Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës

- Z. Veroljub Petrovic, Humani Centar Mitrovica

- Znj. Donika Marku, Hulumtuese

Ky raport është publikuar në kuadër të projektit "Rritja e besimit në mes të Policisë së Kosovës dhe komunitetit serb në Kosovë” me përkrahje financiare të Trustit Ballkanik për Demokraci, një projekt i Fondit Marshall Gjerman të Shteteve të Bashkuara.