Publikimi i raportit "Përtej shkaktarëve: Rreziqet e reja të ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë"

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) sot më 17 tetor 2018, përmes një konference publikoi raportin “Përtej shkaktarëve: Rreziqet e reja të ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë”, në kuadër të programit të ekstremizmit të dhunshëm.

Nga ky raport thuhet se humbja e territorit që mbahej nga ISIS dhe organizata të tjera terroriste, ka krijuar kërcenime dhe sfida të reja për sigurinë në Evropë përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor dhe Kosovën. Që nga viti 2012, rreth 403 persona kanë udhëtuar nga Kosova për në konfliktet në Siri dhe Irak si anëtarë të organizatave terroriste. Nga ky total 255 janë burra, të njohur si luftëtarë të huaj ndërsa pjesa tjetër janë gra dhe fëmijë.

Bazuar nga të dhënat e autoriteteve të vendit rreth 40 fëmijë kanë lindur në Siri dhe Irak me të paktën njërin prind me prejardhje nga Kosova. Rreth 135 individë janë kthyer në Kosovë dhe po kalojnë nëpër procese gygjësore, ndërsa 190 mbeten ende në territorin e IS-së. Përderisa fluksi i luftëtarëve të huaj terrorist prej Kosovës, si dhe udhëtimi i tyre për në Siri ka rënë që nga viti 2015, kërcënimi nga ekstremizmi i dhunshëm është zhvendosur në rrijten e ekstremizmit dhe terrorzimit përbrenda Kosovës.

Të dhënat nga ky raport tregojnë që ideologjitë ekstremiste të dhunshme ende jane të përhapura nëpër familjet e luftëtarëve të huaj nga Kosova, sidomos ato të cilat ndjekin mësimet konservatore. Këto familje ngurrojnë të pranojnë cfarëdo mbështjetje nga autoritetet shtetërore.

Ky raport ka gjetur se një sfidë tjetër mbetet diaspora e Kosovës, ku rreth 48 individë nga 403 luftëtarë të huaj me origjinë nga Kosova kanë lindur ose janë rritur si brez i dytë ose i tretë i emigrantëve në shtetet e Evropës. Shumica e këtyre luftëtarëve nga diaspora nuk shihet që janë të lidhur me Kosovën, por shihet një indikacion se disa prej tyre po e shtojnë praninë në Kosovë dhe mund t’i forcojnë lidhjet familjare në rajon për të rekrutuar dhe për të ndikuar tek ata.

Besohet që 143 famije nga Kosova kanë udhëtuar për Siri. në shumicën e rasteve udhëtimin e tyre e kishte inicuar një anëtar më i rritur i familjes. Pas themelimit të të ashtuquajturit “Kalifat” rreth 108 familje LHT nga Kosova kanë udhëtuar për Siri një hark kohor që përputhet me kulmin ekonomik, financiar dhe ushtarak të “Shtetit Islamik”. Relacionet e fuqisë ndërmjet gjinive në Kosovë, si shoqëri kryesisht patriarkale ishin vendimtare për zhvendosjen e anëtarëve të familjes (grave dhe fëmijëve) në Siri dhe Irak. Në shumicën e rasteve, gratë dhe fëmijët patën trysi nga një anëtar i lartë i familjes, shpesh burri dhe babai, për të udhëtuar në territorin e ISIS-së.