Publikimi i raportit "Tendencat për rrënimin e multietnicitetit: Largimet masive të pjësëtarëve serb të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Roli i Serbisë"

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) sot. më 19 shtator 2018, përmes një konference publikoi raportin e radhës mbi largimet e pjesëtarëve Serb nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe rolin e Serbisë në këtë proces.

Vala e largimeve të pjesëtarëve Serb nga FSK-ja ka shkaktuar një debat të gjerë në Kosovë e Serbi duke arritur të ketë implikime negative dhe duke rrezikuar procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes këtyre dy vendeve. Roli i Serbisë në këtë drejtim shënon njërën ndër ndërhyrjet më brutale në institucionet shtetërore të Kosovës dhe dëshmon qartazi për mungesën e gatishmërisë nga ana e Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. QKSS-ja përmes këtij hulumtimi ka rekomanduar që institucionet e Kosovës duhet të kërkojnë me këmbëngulje përkrahjen e prezencës ndërkombëtare në vend për përgatitjen e një strategjie për integrimin e mëtutjeshëm të komunitetit serb në FSK dhe përmes saj të parashihen edhe masat që duhet të merren për të parandaluar largime të reja.

Të pranishëm në këtë konferencë ishin përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtarë, mediave dhe shoqërisë civile të cilët dhanë kontributin e tyre në trajtimin e kësaj teme e cila është mjaft sensitive dhe aktuale në rajon.