Publikimi i raportit: Trendët e perceptimeve të qytetarëve për Policinë e Kosovës kundrejt realitetit (2015-2018)

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka publikuar më 28 maj ka raportin hulumtues me titull “Trendët e perceptimeve të qytetarëve për Policinë e Kosovës kundrejt realitetit (2015-2018)”. Ky publikim ka ardhur si vazhdimsi e programit të veçantë të QKSS-së së titulluar “ Monitorimi dhe Vlerësimi i Integritetit në kuadër të Institucioneve Kosovare të Sigurisë. Raporti mbulon periudhën prej vitit 2015 deri më 2017 të perceptimeve të të anketuarve nga Barometri Kosovar i Sigurisë, ndërsa përfshin edhe monitorimin e aktiviteteve të Policisë në fushën e integritetit edhe gjatë pjesë së parë të vitit 2018, me theks të veçantë në parandalimin dhe luftimin e fenomenit të korrupsionit policor.

Sa i përket besueshmërisë, vërehet një trend pozitiv në perceptimin e Policisë një institucion i besueshëm në sytë e qytetarëve. Në vitin 2015, rreth 56 përqind e të anketuarve nga Barometri Kosovar i Sigurisë ishin deklaruar se i besojnë Policisë njëjtë sikurse në vitin 2016. Ndërsa, më 2017 besueshmëria në Polici ishte rritur në 62 përqind që në krahasim me vitet paraprake ishte shënuar rritje prej 6 përqind. Nga ana tjetër, të anketuarit nga rajoni i Mitrovicës së jugut i besojnë më së shumti Policisë së Kosovës (rreth 78 përqind prej tyre në vitin 2017), ndërsa ata nga veriu i Kosovës, që kryesisht i përkasin komunitetit serb, kanë besimin më të ulët në Polici (rreth 10 përqind gjatë vitit 2017).

Të anketuarit janë pyetur edhe për mendimet e tyre se si bëhet përzgjedhja e kandidatëve për punësim në Polici. Prej 30 deri 35 përqind e qytetarëve mendojnë se ky proces bëhet përmes konkursit publik ku vërehet një rritje prej 5 përqind prej vitit 2016 në vitin 2017. Megjithatë, një pjesë e qytetarëve kanë perceptim se edhe faktorë të tjerë negativ ndikojnë në rekrutimin e personelit policor. Si pasojë e kësaj, lidhjet familjare apo nepotizmi (rreth 31 përqind), lidhjet politike (prej 25 në 18 përqind) dhe ryshfeti (nga 11 në 12 përqind) janë disa prej fenomeneve që ndikojnë në rekrutimin e kandidatëve në Polici.

Në lidhje me shkallën e përhapjes së korrupsionit në Policinë e Kosovës vërehet se ka një rritje të korrupsionit në Polici. Derisa në vitin 2015 rreth 27 përqind e të anketuarve mendonin se Policia është e korruptuar, në vitin 2016 kishte pasur rënie në këtë aspekt, ku 11 përqind prej tyre e perceptonin Policinë e Kosovës si të korruptuar. Sidoqoftë, në vitin 2017 kishte pasur rritje dukshme kur rezultatet krahasohen më ato të vitit 2016. Më saktësisht, gjatë vitit 2017 rreth 28 përqind e të anketuarve u deklaruan se Policia është e korruptuar dhe kjo ishte një rritje prej 17 përqind në krahasim me vitin 2016.

Rezultatet e Barometrit Kosovar të Sigurisë për Policinë, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me korrupsionin policor shtrojnë nevojën që mekanizmat e kontrollit të brendshëm të Policisë të fuqizohen dhe të jenë më pro-aktiv në parandalimin e korrupsionit të Policisë me qëllim të forcimit të integritetit institucional të Policisë. Kjo padyshim do të ndikonte në zvogëlimin e kësaj dukurie negative marrë parasysh edhe dyshimet për përfshirje në korrupsion dhe mitosje të një pjesë të zyrtarëve policorë.

Me këtë publikim, QKSS ka përfunduar projektin tre vjeçar rreth Monitorimit dhe Vlerësimit të Integritetit të Sektorit Kosovar të Sigurisë. Përmes këtij projekti, QKSS në mënyrë aktive ka monitoruar, raportuar si dhe ka avokuar çështjet që kanë të bëjnë me integritetin në institucionet e sigurisë së Kosovës. Paralelisht, QKSS, gjatë këtyre tre viteve ka ofruar mbështetje për ngritje të kapaciteteve të këtyre institucioneve për të arritur standardet e nevojshme në këtë fushë. Duhet theksuar se përgjatë këtij projekti, dy institucionet kyçe të sigurisë me të cilat QKSS ka punuar në këtë projekt, FSK dhe PK, kanë hartuar Planin e Integritetit- objektivë kjo kyçe e QKSS-së. Poashtu, ky projekt ka vënë themele si dhe ka konsoliduar edhe me tej bashkëpunimin në mes të shoqërisë civile me institucionet e sigurisë, sidomos në fushën e integritetit.

Ky projekt është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO‐K) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).