Publikimi i raportit: Zbërthimi i përgjigjes së Kosovës ndaj të kthyerve nga zonat e luftës në Siri dhe Irak

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), me mbështetjen e Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI) ka publikuar sot raportin hulumtues  në lidhje me qasjet e qeverisë së Kosovës për të mbështetur riintegrimin e të kthyerve nga zonat e luftës në Siri dhe Irak.

Gjetjet e raportit që u publikua sot tregojnë se Kosova është ndër vendet e rralla që ka qenë e gatshme të riatdhesojë qytetarët e saj nga Siria dhe Iraku. Raporti tregon gjithashtu se ndërsa qeveria ka krijuar mekanizmat e nevojshëm institucional për të koordinuar dhe menaxhuar riintegrimin e të kthyerve, ekziston një mungesë e politikës koherente dhe ka sfida të rëndësishme në lidhje me koordinimin, si dhe përfshirjen e shoqërisë civile në proces.

Në hapje të konferencës me rastin e publikimit të raportit, Teuta Avdimetaj nga QKSS, tha se vlerësohet se rreth 403 kosovar, u bashkuan me grupe të ndryshme luftarake në Siri dhe Irak. Tutje znj. Avdimetaj tha e rënia e organizatës terroriste famëkeqe ISIS ka krijuar një situatë të re për shumë vende evropiane, përfshirë Kosovën, se çfarë të bëjnë me qytetarët e tyre që mbeten në Siri dhe Irak.  Prandaj, sipas znj. Adimetaj, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë me mbështetjen e Institutit Ndërkombëtar Republikan, bëri hulumtime pikërisht në këtë temë. Qëllimi kryesor i raportit që është publikuar sot, është të analizoj se si qeveria dhe aktorët e tjerë janë përgjigjur në çështjen e riatdhesimit të kosovarëve nga zonat e luftës në Siri dhe Irak, si dhe se si u mbështet riintegrimi i tyre në shoqëri .

Skënder Perteshi, hulumtues në QKSS, dhe njëri nga autorët e raportit, tha se në lidhje me mbështetjen e riintegrimit të të kthyerve, gjetjet e raportit përfshijnë dy qasje të përgjithshme. Ka masa ndëshkuese-restauruese dhe mbështetje të riintegrimit shoqëror.

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka krijuar programe të veçanta për të mbështetur rehabilitimin dhe deradikalizimin e atyre të kthyerve nga zonat e luftës në Siri dhe Irak që janë në burg. Këto përfshijnë kurse të zhvillimit të aftësive për të rritur shanset e tyre të punësimit pas lirimit, trajnime të tjera të ndryshme, si dhe ligjërata fetare nga imamët e siguruar nga Bashkësia Islame e Kosovës.

Në lidhje me mbështetjen e riintegrimit shoqërorë, Qeveria ka krijuar një divizion të specializuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme për të menaxhuar dhe koordinuar mbështetjen për riintegrimin e të kthyerve nga zonat e luftës në Siri dhe Irak. Përderisa, qasja e qeverisë ka qenë pozitive, z. Perteshi argumenton se ka mungesë të një politike koherente si dhe ka sfida me koordinim.

Raporti i publikuar sot përmbanë disa rekomandime, duke përfshirë:

• Qeveria të kryejë një shqyrtim gjithëpërfshirës të politikave dhe institucioneve që koordinojnë dhe zbatojnë aktivitete që synojnë mbështetjen e riintegrimit të të kthyerve nga zonat e luftës;

• Qeveria të miratojë një koncept-dokument se si të riorganizohet mekanizmi ekzistues institucional që merret me deradikalizimin dhe riintegrimin, si dhe të krijohet një politikë koherente qeveritare mbi riintegrimin social dhe ekonomik të të kthyerve; si dhe

• Ministria e Punëve të Brendshme duhet të krijojë Grupin Këshillues të Shoqërisë Civile për Riintegrimin, në mënyrë që të përfshihet OJQ-të në përpjekjet e riintegrimit përmes partneritetit me institucionet qeveritare.

Raportin mund ta lexoni KËTU

Ky raport është publikuar në kuadër të projektit "Analizimi i procesit të riintegrimit për luftëtarët e huaj të kthyer në komunitet" i përkrahur nga Instituti Internacional Republikan(IRI). Pikëpamjet e shprehura në këtë hulumtim nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të IRI-t.