Qëndrimet e komunitetit Serb në Kosovë rreth ndryshimit të mandatit të Forcës së Sigurisë të Kosovës(FSK)

Sot, më 1 nëntor 2017, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë në bashkëpunim me Qendrën Kërkimore për Politika të Sigurisë organizuan konferencën mbi qëndrimet e komunitetit Serb në Kosovë rreth ndryshimit të mandatit të Forcës së Sigurisë të Kosovës(FSK).

Të ftuar për të diskutuar rreth shqetësimeve dhe sfidave të komunitetit Serb për ndryshimin e mandatit të FSK-së ishin:

Shkëlqesia e tij, Presidenti i Republikës së Kosovës Z. Hashim Thaçi;

Znj. Jovana Radosaljevic, Drejtoreshë Ekzekutive, Iniciativa e re Sociale me seli në Mitrovicën Veriore;

Z. Burim Ramadani, Drejtor Ekzekutiv, Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë;

Z. Veroljub Petronic, Drejtor Ekzekutiv, Qendra Humane me seli në Mitrovicën Veriore

Takimi u moderua nga Z. Florian Qehaja, Drejtor Ekzekutiv, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë.

Përfaqësuesit e shoqërise civile nga komuniteti Serb treguan për shqetësimet që ky komunitet ka rreth ndryshimit të mandatit të FSK-së dhe kërkuan përfshirjen e të gjithë komuniteteve dhe akterëve tjerë në këtë proces. Ata paraqitën rezultatet e hulumtimeve të organizatave që përfaqësojnë, ku dëshmohet që në komunitetin serb ka pasiguri rreth transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës(FAK).

Presidenti i Republikës së Kosovës tha se transformimi i FSK-së në FAK është proces në përfundim e sipër dhe ky proces është krejtësisht kushtetues dhe legjitim, pavarësisht se a kryhet me ndryshime kushtetuese apo jo. Ai siguroi përfaqësuesit e komunitetit Serb në Kosovë se formimi i FAK nuk ka qëllime negative ndaj askujt dhe si i tillë ai duhet të mirëpritet edhe nga komuniteti serb në Kosovë.

“Jam i bindur që ky hap final i bërjes së Kosovës me Forca të Armatosura, pas një periudhe të gjatë të zhvillimit të Forcave të Sigurisë, në një partneritet të shkëlqyeshëm me SHBA-në, KFOR-in dhe NATO-n, është në interes të gjithë qytetarëve të Kosovës, në interes të gjitha komuniteteve, të sigurisë dhe paqes në Kosovë dhe në rajon. Për më tepër, duhet ta bëjmë të qartë se Forcat e Armatosura të Kosovës nuk paraqesin asnjë lloj kërcënimi ashtu siç nuk paraqet sot asnjë kërcenim FSK-ja” – theksoi z. Thaci.

Formimi i Forcave të Armatosura do të jetë vlerë e përbashkët e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe do të kontribojë jo vetëm në ruajtjen e paqes në nivel nacional por edhe në nivel rajonal dhe më gjerë sipas presidentit Thaci. Ai shprehi gatishmërinë e presidencës për diskutime të mëtutjeshme me të gjithë faktorët e përfshirë në këtë proces, në mënyrë që procesi të jetë sa më gjithëpërfshirës dhe transparent.

Në konferencë morrën pjesë një numër i madh i përfaqësuesve nga institucionet vendore, misionet diplomatike në Kosovë, shoqëria civile dhe mediat të cilët u përfshinë në diskutim të hapur me pyetje dhe komente për panelistët e ftuar.