Shkolla për Integrime Evropiane - Moduli për Siguri dhe Politikë të Jashtme

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) me 16-18 nëntor 2018, ka organizuar shkollën për Integrime Evropiane - Moduli për Siguri dhe Politikë të Jashtme. Kjo punëtori ka mbledhur së bashku 21 përfaqësues nga shoqëria civile, mediat si dhe institucionet e sigurisë në Kosovë.

Kjo punëtori kishte për qëllim të ngrisë diskutime për mundësitë që i ofron MSA për Kosovën, pjesëmarrjen e Kosovës në iniciativa dhe platfroma rajonale të dizajnuara për të ndihmuar gjashtë vendet në rrugëtimin e tyre drejt BE-së- të tilla si Procesi i Berlinit, mundësitë që ka Kosova për të shfrytëzuar MSA-së si një mundësi për të synuar pjesëmarrjen në misione ushtarake dhe civile të BE-së, si dhe rëndësia e bashkëpunimit më proaktiv më Shqipërinë në ndarjen e ekspertizave dhe përvojave në rrugëtimin e dy vendeve drejt BE-së.

Paneli i parë- Kosova 2025: përpjekje e pasukseshme apo rrugëtim shpresues drejt BE-së

Fokusi i panelit të parë ishte Kosova në procesin e integrimit në BE. Paneli filloi me një prezantim të temës dhe gjendjes aktuale të Kosovës nga hulumtuesja e QKSS-së Donika Emini. Emini elaboroi bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor, me theks në Procesin e Berlinit. Naim Rashiti shpjegoi se si agjenda e shtetit të Kosovës ka qenë e dominuar nga Dialogu në Bruksel. Përveç kësaj, Rashiti ka elaboruar pesë skenarë të mundshëm të epilogut të dialogut siç janë dështimi për të arritur një marrëveshje, modeli i dy Gjermanive, Brukseli 2 si dhe mundësia e shkëmbimit territorial. Prezantimi u pasua nga një diskutim shumë i frytshëm ku pjesëmarrësit shprehën idetë e tyre në lidhje me dialogun, procesin e liberalizimit të vizave dhe procesin e integrimit në BE.

Paneli i dytë- Pjesëmarrja e vendeve të treta në misionet paqëruajtëse të BE-së, perspektive e Kosovës

Paneli filloi me futjen e temës nga hulumtuesi i QKSS, Donika Marku. Marku paraqiti hulumtimin duke u fokusuar në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA). Sipas Markut, SAA, në veçanti kapitulli mbi Dialogun Politik, ofron një mundësi që Kosova të nisë dialog politik për pjesëmarrjen në operacionet dhe misionet paqeruajtëse të BE-së. Për më shumë, MSA i mundëson Kosovës të iniciojë dialogun e politikave mbi sigurinë dhe mbrojtjen nëpërmjet Këshillit të Asocimit të Stabilizimit. Si përgjigje, qeveria e Kosovës duhet të hartojë dokumente për të lidhur politikën e jashtme të Kosovës me BE-në, veçanërisht për sa i përket operacioneve paqeruajtëse dhe misioneve. Pas prezantimit të raportit të QKSS, zëvendësministri i FSK-së, Z. Burim Ramadani, foli për pjesëmarrjen e mundshme të FSK-së në Misionet Paqeruajtëse, duke diskutuar kapacitetet aktuale dhe përgatitjet e FSK-së. Një perspektivë tjetër u dha nga Z. Redion Qiriazi i cili paraqiti përvojën e Shqipërisë me këto misione.

Paneli i tretë- Bashkëpunimi Kosovë – Shqipëri

Qëllimi i këtij paneli ishte të jepte një pasqyrë të bashkëpunimit midis Kosovës dhe Shqipërisë në fusha të ndryshme. Një pjesë kryesore e këtij paneli ishin prezantimet që rrjedhin nga puna e grupit të pjesëmarrësve. Diskutimi filloi me një prezantim nga Z. Agon Maliqi, Sbunker, i cili theksoi se pavarësisht nga rëndësia e tij, asnjë raport apo hulumtim nuk është shkruar në lidhje me këtë temë. Për më tepër, nuk ekziston ndonjë hulumtim paraprak lidhur me zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara midis Kosovës dhe Shqipërisë. Për Maliqin, zbatimi i marrëveshjeve të tilla është vendimtar për të ruajtur dhe thelluar këtë bashkëpunim. Nga ana tjetër, një perspektivë tjetër u mbulua nga Z. Taulant Hoxha, Drejtor Ekzekutiv në KCSF, i cili prezantoi një bashkëpunim midis OShC-ve dhe si mund të rritet ky bashkëpunim. Po ashtu, të dy panelistët i kushtuan vëmendje konektivitetit si një mënyrë për të përmirësuar këtë bashkëpunim. Panelistët dhe pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e shkëmbimit të praktikave dhe përvojave më të mira si një mjet për të lehtësuar të dy vendet në rrugën e tyre drejt integrimit në BE.

Puna në Grupe

Gjatë punës në grupe pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe. Fillimisht njëri grup diskutoi rreth mënyrave të bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri në fushën e Sigurisë ndërsa grupi tjetër rreth mënyrave të bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri në fushën e Politikës së Jashtme. Në pjesën e dytë të punës në grupe, grupet ndërruan temën e diskutimit me grupin tjetër, duke krijuar kështu në fund një pasqyrim më të detajuar të aspekteve se si mund të rritet bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe politikës së jashtme.

Moduli për Siguri dhe Politikë të Jashtme i organizuar në kuadër të Shkollës për Integrime Evropiane është aktivitet vjetor i QKSS, në vazhdën e aktiviteteve për avancimin dhe ngritjen e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës. Në fund të Shkollës të gjithë pjesëmarrësit u pajisen me nga një çertifikatë si mirënjohje për kontributin e dhënë në këtë punëtori.