Luftimi i Ekstremizmit të Dhunshëm

Ky program është themeluar në vitin 2015, pas publikimit të raportit “Raport për shkaqet dhe pasojat e përfshirjes së qytetarëve të Kosovës si luftëtarë të huaj në Siri dhe Irak”. Para kësaj, QKSS ka qenë e involvuar në krijimin e opinionit, duke dhënë vlerësime për rrezikun që kanoset nga rritja e grupeve ekstremiste të dhunshme. Programi ka për qëllim të trajtojë fenomenin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm në komunitet. Ky program implementohet në nivel qendror dhe komunal në të gjitha komunat e Kosovës, duke përfshirë akterët relevant sic janë perfaqësuesit e komunave, përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të institucioneve të sigurisë, Bashkësia Islame e Kosovës si dhe perfaqësues të mediave. Në nivel qendror QKSS është  involvuar në hartim të Strategjisë Kombëtare Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, pjesëmarrje ne politikbërje, avokim përmes hulumtimeve dhe ndërtim kapacitetesh.

Përvec aktiviteteve në Kosovë, QKSS është e involvuar edhe jashtë saj duke dhënë kontribut sidomos në nivel rajonal me fokus Ballkanin Perëndimor. Kjo për shkak që gjetjet e analizave tona tregojnë për një lidhje ndërmjet shteteve të rajonit, dhe ne konsiderojmë që për të qenë të sukseshëm në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm duhet një angazhim rajonal.  Për më tepër, programi i QKSS mbi Luftimin e Ekstremizmit të Dhunshëm tashmë ka shtrirje edhe në nivel më të gjerë ndërkombëtar duke ndërtuar bashkëpunim me organizata të ndryshme të njohura në nivel ndërkombëtar si: US Institute for Peace, UK Royal United Service Institute (RUSI), Berghof Institute, Norwegian Council for Foreign Affairs (NUPI) etj. Nga korriku 2016 QKSS është anëtare e rrjetit të Resolve Network të udhëhequr nga Institute for Peace pjesë e së cilës janë institutet kryesore botërore të cilat merren me ekstremizëm të dhunshëm.

Ndër qëllimet themelore të programit është ngritja e vetëdijës së qytetarëve për rrezikun nga ekstremizmi i dhunshëm. Mënyrat se si QKSS ka vendosur ta bëjë këtë është nëpërmjet organizimit të ligjeratave dhe diskutimeve të ndryshme në shkolla të mesme të Kosovës. Deri tash ekipi i QKSS ka vizituar rreth 100 shkolla të mesme dhe është takuar me më shumë 1000 të rinjë. Për më tepër, ekipi i QKSS në Luftimin e Ekstremizmit të Dhunshëm është i angazhuar në nivel komuniteti duke përfshirë përfaqësues të komunitet në diskutime, konferenca dhe aktivitete tjera.