Mbikëqyrja Parlamentare e Sektorit të Sigurisë në Kosovë

Ky program sektorial është themeluar në vitin 2010, në bazë të bashkëpunimit të ngushtë në mes të QKSS dhe Qendrës së Gjenevës për Kontroll Demokratik të Forcave të Armatosura (DCAF). Qëllimi i këtij programi ka qenë monitorimi i mbikëqyrjes parlamentare dhe demokratike të institucioneve të sigurisë në Kosovë, duke u fokusuar në forcimin e kontrollit parlamentar në sektorin e sigurisë në Kosovë. Objekt monitorimi i këtij programi janë Kuvendi i Kosovës dhe Agjencitë e Pavarura Shtetërore të cilat raportojnë direkt tek Kuvendi i Kosovës. Më konkretisht, ekipet hulumtuese të QKSS në kuadër të këtij programi bëjnë monitorimin e rregullt të aktiviteteve të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri, dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, si dhe Komisionin për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.  Temat të cilat janë trajtuar kanë qenë:

- Mbikëqyrja Financiare e Sektorit të Sigurisë në Kosovë;

- Menaxhimi i fondeve publike;

- Zbatimi i ligjit të prokurimit publik nga ana e institucioneve të sigurisë;

- Mbikëqyrja e Agjencive të Inteligjencës;

- Mbikëqyrja parlamentare e zbatimit të ligjit për mbrojtjen e të dhënave  personale dhe privatësisë, si dhe ligjit për klasifikimin e informacionit dhe verifikimin e sigurisë;

Si pjesë e këtij programi QKSS, në bashkëpunim me DCAF, ka organizuar disa vizita studimore për anëtarët e komisioneve mbikëqyrëse parlamentare, me qëllim të shkëmbimit të përvojave të mbikëqyrjes dhe kontrollit parlamentar të institucioneve të sigurisë, duke u fokusuar në çështjet për të cilat ishin identifikuar mangësi njohurish nga ana e komisioneve parlamentare. Janë organizuar vizita studimore në: Shqipëri, Maqedoni, Slloveni, Austri, Zvicër etj.