Përfaqësimi gjinor, etnik, marrëdhëniet Kosovës - Serbi si dhe bashkëpunimi rajonal

Ky program është themeluar në Shtator 2012 me fillimin e projektit rajonal “Forumi Hulumtues i Sigurisë – Prishtinë – Beograd – Tiranë”. Qëllimi kryesor i këtij programi është:

-    Mbikëqyrja e implementimit të marrëveshjeve në mes të Kosovës dhe Serbisë të lidhura në fushën e sektorit të sigurisë

-  Integrimi i komunitetit Serb dhe i komuniteteve tjera në kuadër të institucioneve të sigurisë si kriter i rëndësishëm i ndërlidhur me proceset integruese të Kosovës;

-  Shpërbërja e strukturave paralele dhe monitorimi i procesit të inkuadrimit të pjesëtarëve të këtyre strukturave në institucionet Kosovare të sigurisë;

-  Fillimi i bashkëpunimit në sferën e sigurisë në mes te Kosovës dhe Serbisë;

Krahas, mbulimit të çështjes së përfaqësimit të komuniteteve  në sektor të sigurisë një komponentë tjetër e rëndësishme e këtij programi është edhe monitorimi dhe vlerësimi i nivelit të përfaqësimit gjinor në këtë sektor. Pra, QKSS me këtë program në radhë të parë synon që të sigurohet se institucionet e sigurisë janë të hapura dhe korrekte me mënyrën e trajtimit të këtyre komuniteteve në këtë sektor si bazë për demokratizimin e këtij sektori. Por gjithashtu synon që të mbikëqyr këtë proces nga çfarëdo mundësi për shpërdorimin e proceseve politike integruese sidomos kur kemi te bëjmë me dialogun Kosovë-Serbi, duke u siguruar se procesi i integrimit do të ngritë besueshmërinë e qytetarëve ndaj institucioneve të sigurisë e jo ta dobësoj atë.

QKSS ka luajtur një rol proaktiv në drejtim të sensibilizimit të sektorit të sigurisë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ne kemi luajtur rol proaktiv në përfshirjen e Kosovës në iniciativat rajonale të sigurisë. Poashtu, QKSS ka shfrytëzuar rrjetin e saj për krijimin e partneritetit në mes të shoqërive civile të Kosovës dhe vendeve të BE-se që nuk e kanë njohur Kosovën (sidomos Qipros, Spanjës dhe Sllovakisë).