Fuqizimi i mundësive dhe trajnimeve për kurrikulat në parandalimin e konflikteve dhe ndërtimin e paqes - Peacetraining

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) është ndër organizatat e rralla të shoqërisë civile në Kosovë që është organizatë partnere e projekteve të programit Horizon 2020 për Hulumtim dhe Inovacion që mbështeten nga Bashkimi Evropian (BE).

Në këtë drejtim, që nga viti 2016, QKSS-ja është duke e zbatuar projektin “Fuqizimi i mundësive dhe trajnimeve për kurrikulat në parandalimin e konflikteve dhe ndërtimin e paqes” i cili shkurtimisht njihet si PeaceTraining.eu. Për më tepër, QKSS-ja si institut hulumtues i specializuar në sektorin e sigurisë është partner i këtij projekti për zbatimin e tij në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor. Qëllimi i këtij projekti është të fuqizojë kurrikulat dhe kapacitetet e trajnimeve në fushën e parandalimit të konflikteve dhe ndërtimit të paqes në Evropë përmes metodave më të avancuara të njohurisë. Ky projekt ka arritur të sjellë trajnerë dhe palë të tjera të interesuara për të zhvillimin e një platforme të përbashkët në Evropë për ofrimin e trajnimeve në fushën e paqes. Gjithashtu, kjo platformë ka kontribuar dhe është duke kontribuar në ngritjen e cilësisë dhe specializimit të mëtejshëm të trajnimeve përmes ofrimit të këshillave dhe udhëzimeve për trajnerët në sferën e parandalimit të konfliktit dhe ndërtimit të paqes.

Aktivitetet e realizuara nga QKSS-ja në Kosovë gjatë zbatimit të këtij projekti:

 Gjatë vitit 2017 janë realizuar dhjetëra intervista më përfaqësues të institucioneve të Kosovës në sektorin e sigurisë si dhe të misioneve e organizatave ndërkombëtare që janë të pranishme në Kosovë. Këto intervista janë bërë me qëllimin për të vlerësuar praktikat, sfidat dhe mësimet që mund të nxjerrin institucionet e sektorit të sigurisë në Kosovë, por edhe ato ndërkombëtare për programet e trajnimit lidhur me parandalimin e konfliktit dhe ndërtimit të paqes. Të dhënat dhe gjetjet e intervistave kanë shërbyer për hartimin e një raporti në të cilin rekomandohet avancimi i trajnimeve në fushat përkatëse. Ky raport është i fokusuar në ndarjen e përvojave të ndërtimit të paqes dhe parandalimit të konfliktit në Kosovë dhe Irlandën Veriore.

 Më 2 nëntor 2017, QKSS-ja ka organizuar konferencën “Pronësia vendore dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë” në të cilën është diskutuar për rolin e bashkësisë ndërkombëtare në zhvillimin e sektorit të sigurisë në Kosovë dhe zhvillimin e pronësisë vendore nga ana e institucioneve të sigurisë në vend. Në këtë konferencë është diskutuar në dy panele për administrimin ndërkombëtar në Kosovë, me theks të veçantë në ngritjen e institucioneve të sigurisë gjatë periudhës 1999-2008, kontributin e misioneve ndërkombëtare në Kosovë si dhe zhvillimin e konceptit të pronësisë  vendore në institucionet e sigurisë prej vitit 2008 dhe deri më tash. Një nga përfundimet kyçe të konferencës ishte se reformimi i sektorit të sigurisë në Kosovë mbetet ende sfidues edhe si pasojë e moszbatimit të rekomandimeve të dala nga Analiza e Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë në Kosovë. Po ashtu, në konferencë ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve të sigurisë në Kosovë, misionet ndërkombëtare që janë të pranishme në vend dhe ekspertë të sigurisë. Ndërsa, në konferencë kanë kontribuar përfaqësuesit nga Universiteti KU Leuven i Belgjikës dhe Instituti për Hulumtimin e Konflikteve (ICR) i Irlandës Veriore që janë partnerë në këtë projekt.

 Ndërkaq, në datat 1-2 tetor 2018 u mbajt konferenca ndërkombëtare “Shaping the Future of Peacetraining in Europe and Beyond” në Vjenë, Austri. Ky ka qenë aktiviteti përmbyllës i projektit në të cilën gjatë dy ditëve është diskutuar gjerësisht për temën e trajnimeve për paqe në Evropë dhe rajonet tjera. Gjatë kësaj konference janë mbajtur në mënyrë paralele 20 punëtori dhe panele të ndryshme që kanë trajtuar çështjet më kritike për trajnimet në parandalimin e konflikteve dhe ndërtimin e paqes. Për më tepër, përfaqësuesit e QKSS-së kanë marrë pjesë në këtë konferencë ku kanë kontribuar për përvojën e Kosovës në procesin e ndërtimit të paqes. Kjo konferencë e nivelit të lartë ishte organizuar nga konsorciumi i organizatave partnere të projektit PeaceTraining.eu dhe në të kanë marrë pjesë përfaqësues të shumë institucioneve shtetërore, organizatave joqeveritare e instituteve hulumtuese në nivel evropian e ndërkombëtar.

Ky projekt do të përfundojë deri në fund të vitit 2018 dhe koordinohet nga organizata austriake SYNYO GmbH.