Ndërtimi i Qëndrueshmërisë: Komunitetet kundër Ekstremizmit të Dhunshëm

Pas përfundimit të suksesshëm të dy projekteve paraprake, duke filluar nga Shtatori 2019, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) do të implementojë projektin e radhës të përkrahur nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Prishtinë përmes fondit MATRA, me titull "Ndërtimi i Qëndrueshmërisë: Komunitetet kundër Ekstremizmit të Dhunshëm".

Përfshirja e komunitetit në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm ka dëshmuar që është njëra ndër elementet primare në krijimin e komuniteteve të qëndrueshme. Andaj, përmes këtij projekti QKSS synon  të identifikojë potencialin e ndërtimit të qëndrueshmërisë të komuniteteve në komunën e Gjilanit, Prishtinës, Podujevës, Vitisë, Prizrenit, Fushë Kosovës, Pejës, Mitrovicës, Suharekës dhe Deçanit. Sipas përvojës tonë të mëparshme dhe qasjes tonë ndaj Ekstremizmit të Dhunshëm nga një perspektivë e komunitetit, aktivitetet e këtij projekti janë të dizajnuara që të mundësojnë përdorimin e qëndrueshmërisë si mjet për parandalimin e radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Në mënyrë që qëllimi dhe objektivat e projektit të jenë të arritshme, projekti do ti ofrojë akterëve lokal, punëtorëve social, organizatave lokale dhe të prekurve nga ekstremizmi i dhunshëm njohuritë dhe instrumentet e nevojshme për një proces të suksesshëm riintegrimi për individët e radikalizuar. Kështu, projekti do të fuqizojë komunitetet lokale, me fokus të veçantë në gratë dhe të rinjtë, përmes mobilizimit të komunitetit për të trajtuar çështje të ndryshme politike, sociale dhe ekonomike.

Ky projekt do të ofrojë rekomandime të politikave për planifikim të programeve të reja për adresimin e ideologjive ekstremiste dhe do të kontribuojë në procesin e riintegrimit të të kthyerve nga luftërat e  huaja dhe familjeve të tyre në Kosovë. Aktivitetet e projektit do të përfundojnë në Shtator 2021.