Të rinjët për të rinjët- Rritja e qëndrueshmërisë për grupet e margjinalizuara në Kosovë

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka filluar të implementojë projektin me titull "Të rinjët për të rinjët- rritja e qëndrueshmërisë për grupet e margjinalizuara në Kosovë” i cili ka për qëllim rehabilitimin dhe ri-socializimin e fëmijëve të kthyer nga zonat e konfliktit të Sirisë dhe Irakut. Qëllimi i këtij projekti është të mbështetë përpjekjet në procesin e ri-integrimit të fëmijëve të kthyer nga konfliktet e huaja përmes qasjes dhe aktiviteteve edukative.

Projekti nuk do të kufizohet vetëm tek aktivitetet me të kthyer nga konfliktet e huaja por synon të targetojë edhe fëmijë të tjerë siç janë ata të cilët i braktisin shkollat fillore dhe të mesme. Braktisja e shkollave dihet se ka një ndikim negativ në mundësitë e zhvillimit të fëmijëve në të ardhmen. Një çasje e tillë gjithëpërfshirëse shmang stigmatizimin e të rinjëve si dhe ka shtrirje më të madhe në vend.

Fëmijët e kthyer mund të mbeten të izoluar dhe të margjinalizuar nga komuniteti, gjë që mund të pengojë ndjeshëm aftësitë e tyre të komunikimit ndër-personal. Përmes aktiviteteve të këtij projekti, si kampet gjatë fundjavave  këta fëmijë mund të përmirësojnë këto aftësi dhe të rrisin tolerancën e tyre në shoqëri.

Projekti do të implementohet në Prishtinë, Viti, Fushë Kosovë, Ferizaj, Gjilan, Podujevë, Prizren, Mitrovicë, Klinë, dhe komuna të tjera ku ka individ të kthyer nga zonat e luftës, dhe mbështetet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.