Zhvillimi i gjithëpërfshirjes dhe qëndrueshmërisë në sektorin e sigurisë në Kosovë

Ky projekt ka për qëllim të identifikojë se deri në çfarë mase komunitetet jo-shumicë janë të përfshira në sektorin e sigurisë, me theks të veçantë në Policinë e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Në kuadër gjithëpërfshirjes etnike dhe përfaqësimit gjinor në institucionet e sigurisë së Kosovës, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka nisur zbatimin e projektit “Zhvillimi i gjithëpërfshirjes dhe qëndrueshmërisë në sektorin e sigurisë në Kosovë”. Ky projekt ka për qëllim të identifikojë se deri në çfarë mase komunitetet jo-shumicë janë të përfshira në sektorin e sigurisë, me theks të veçantë në Policinë e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës. Krahas kësaj, përmes këtij projekti synohet të pasqyrohet në mënyrë të plotë rëndësia e gjithëpërfshirjes së sektorit të sigurisë tek grupet e targetuara, veçanërisht tek gratë dhe grup-moshat e reja të pakicave në rajonin e Mitrovicës veriore si dhe në komunat e Graçanicës dhe Shtërpcës.

Prandaj, objektivat kryesore të projektit janë i) identifikimi i nivelit të gjithëpërfshirjes dhe veçanërisht kushtet dhe zhvillimi i karrierës tek komunitetet jo-shumicë dhe gratë në nivelin taktik, operativ dhe strategjik, ii) nxitja e bashkëpunimit ndërmjet akterëve jo-qeveritarë dhe institucioneve të sigurisë, dhe iii) krijimi i një platforme avokuese për të promovuar në mënyrë të vazhdueshme gjithëpërfshirjen gjatë punës ditore dhe paraqitjes në media.

Gjithashtu, ky projekt do të avokojë për përmirësimin e kushteve brenda institucioneve si dhe shfrytëzimin e të gjitha të drejtave gjatë ushtrimit të funksioneve. Kjo është mbase njëra prej nismave të rralla të shoqërisë civile në Kosovë për të identifikuar gjendjen e tanishme dhe avokimin për kushte më të mira komuniteteve jo-shumicë në Policinë e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës. Për më tepër, projekti do të hulumtojë në mënyrë të veçantë gjithëpërfshirjen dhe kushtet e grave nga radhët e pakicave në sektorin e sigurisë.

Ky projekt i cili ka nisur të zbatohet në tetor të vitit 2019 dhe do të zgjas deri në shkurt të vitit 2020 mbështetet nga Fondi i Kanadës për Iniciative Lokale (CFLI).