Barometri Kosovar i Sigurisë - Edicion Special mbi Trendet e perceptimeve të qytetarëve për sigurinë publike në Kosovë (2016-2018)

Publikuar nga:

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)

Titulli:

Barometri Kosovar i Sigurisë - Edicion Special

Trendet e perceptimeve te qytetarëve për sigurinë publike në Kosovë (2016-2018)

Autore:

Donika Marku

Data:

25 korrik 2019
Siguria është një e drejtë themelore e njeriut. Ndjesia e sigurisë apo e pasigurisë ndikon fuqishëm në shëndetin fizik dhe mendor dhe mirëqenien e qytetarëve  dhe mund të çojë në rritjen e besimit/mosbesimit, çka ndikon në socializimin e qytetarëve dhe ndjenjën e komunitetit.  Si rrjedhojë, QKSS-ja u ka kushtuar vëmendje të veçantë perceptimeve të qytetarëve në lidhje me sigurinë publike dhe sigurinë personale, që nga viti 2012 kur u lansua për herë të parë Barometri Kosovar i Sigurisë.
Ky edicion i posaçëm i BKS-së ofron një përmbledhje të perceptimeve të qytetarëve për sigurinë publike në Kosovë gjatë tri viteve të fundit. Më konkretisht, ai nxjerr në pah trendet e perceptimit mbi sigurinë publike, duke u fokusuar në të dhënat e Barometrit Kosovar të Sigurisë (BKS) të mbledhura gjatë periudhës 2016-2018. Të dhënat e mbledhura gjatë kësaj periudhe u përqendruan në shqetësimet dhe problemet kryesore të të anketuarve me sigurinë publike, si dhe në masat që duhen ndërmarrë për të përmirësuar sigurinë publike në Kosovë.
Elemente të ndryshme ndikojnë në perceptimet e qytetarëve në lidhje me sigurinë publike. Padyshim që qëndrimet e tilla formësohen nga përvoja personale. Megjithatë, nuk mund të injorohet rëndësia e mediave dhe rrjeteve sociale në formësimin e opinioneve të qytetarëve. Perceptimet mund të lidhen me karakteristikat personale të tilla si mosha, gjinia, përkatësia etnike, arsimi dhe gjendja ekonomike. Prandaj, përtej analizave të përgjithshme të të dhënave, ky edicion përfshin edhe analiza të kryqëzuara të kërcënimeve të ndryshme të sigurisë publike me karakteristika personale.
Ky raport është publkuar në kuadër të programit Barometri Kosovar i Sigurisë. Perceptimet e paraqitura në këtë  raport janë përmbledhje e përgjigjeve të marra nga të anketuarit dhe tregojnë mënyrën si i perceptojnë ata institucionet. Ky nuk është vlerësim përfundimtar i punës së institucioneve që janë temë e këtij studimi. Raporti do t’u shërbejë atyre si instrument për të adresuar mangësitë e mundshme, por edhe si tregues i efektivitetit të komunikimit të tyre me qytetarët.

Pikëpamjet e paraqitura në këtë raport janë perceptimet e të anketuarve  dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë. Opinionet e shprehura në këtë raport nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e National Endowment for Democracy (NED).