Barometri Kosovar i Sigurisë - Edicioni i tetë

Publikuar nga:

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)

Titulli:

Barometri Kosovar i Sigurisë - Edicioni i tetë

Autor:

Donika Marku

Data:

Nëntor 2018

Barometri Kosovar i Sigurisë (BKS) është një mjet i veçantë, përmes të cilit Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë mat përceptimet publike. Edicioni i tetë i BKS-së përbëhet nga dy kapituj. Kapitulli i parë mat përceptimet e qytetarëve lidhur me besimin në institucionet e sigurisë, drejtësisë, si dhe në institucione qendrore, ndërsa kapitulli i dytë regjistron përceptimet e qytetarëve lidhur me rreziqet e brendshme si dhe kërcënimet të cilat e kanosin Kosovën.

Përceptimet e besimit në institucionet e shtetit dhe perceptimet lidhur me sigurinë dhe rreziqet mund të dallojnë varësisht nga etnia, gjinia, zona dhe rajoni i banimit. Krahas kësaj, raporti përmban edhe analiza të kombinuar të të dhënave përtej interpretimit të përgjithshëm, gjë që i mundëson publikut të kenë një pamje të qartë dhe pikëpamje më kuptimplotë lidhur me besimin e qytetarëve në institucione dhe perceptimet e rreziqeve. Lidhur me këtë, analizimi i rezultateve rreth besimit bazuar në zona dhe rajone specifike, në përkatësinë etnike, gjininë, si dhe të dhënat e tjera plotësuese lidhur me të anketuarit, do t’i  mundësojë audiencës që të kuptoj, analizoj si dhe të arsyetoj mendimet e qytetarëve të Kosovës lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë dhe drejtësinë.

Krahas rezultateve të BKS 2018 dalin edhe gjetjet kyçe:

Qytetarët e Kosovës u besojnë institucioneve të sigurisë më shumë se atyre të drejtësisë ose atyre qendrore;

• Forca e Sigurisë së Kosovës përsëri është rradhitur si institucioni më i besueshëm në Kosovë;

Institucionet e drejtësisë vazhdojnë të kenë besim të ulët edhe pse është shënuar një rritje e vogël e besimit (2 pikë të përqindjes) në të dy institucionet;

Institucionet qendrore si Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës vazhdojnë të gëzojnë besim të ulët të qytetarëve, përderisa besimi në institucionet komunale shënon besim më të lartë;

Qeveria e Kosovës është listuar si institucioni më i jobesueshëm për qytetarët e Kosovës;

Besimi i qytetarëve ndaj EULEX-it vazhdon të jetë shumë i ulët krahasuar me KFOR-in, i cili listohet si institucioni i dytë më i besueshëm;

Barometri nuk ka regjistruar ndonjë ndryshim të madh në rezultate sa i përket lidhshmërisë në mes besimit si dhe zonës së vendbanimit. Po ashtu, nuk është vërejtur ndonjë ndryshim i madh sa i përket regjioneve, përveç në Mitrovicë të Veriut ku besimi në institucione kosovare është dukshëm më i ulët. Ngjashëm edhe tek analizimi i lidhshmërisë së besimit me përkatësi etnike, Kosovarët Serb vazhdojnë të kenë besim të ulët në institucionet e Kosovës.

Gratë u besojnë institucioneve të drejtësisë si dhe atyre komunale më shumë se burrat;

Të anketuarit i shohin korrupsionin, papunësinë, krimin e organizuar si rreziqet më të mëdha të brendshme të Kosovës. Mirëpo, shqetësim i madh është vërejtur edhe për ndarjen e Kosovës si dhe autonominë e veriut.

Te anketuarit në zona rurale janë më të shqetësuar rreth rreziqeve të brendshme të Kosovës se sa të anketuarit në zona urbane;

Respodentët Kosovarë Serb ndihen më pak të kërcënuar nga të gjitha rreziqet nacionale të sigurisë se sa respodentët Shqiptar; mirëpo, të dy etnitë shprehën shqetësim të theksuar lidhur me krimin e organizuar;

Perimetri i sigurisë ka treguar që të anketuarit ndihen më të sigurt në shtëpitë e tyre ose në lagje, krahasuar

me fshatin/qytetin ose Kosovën në përgjithësi.