Edicion Special i BKS-së - Korrupsioni, Sundimi i ligjit dhe Integriteti Policor në Kosovë

Publikuar nga:

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)

Titulli:

Barometri Kosovar i Sigurisë - Edicion Special

Korrupsioni, Sundimi i ligjit dhe Integriteti Policor në Kosovë

Autor:

Plator Avdiu

Data:

26 mars 2019

Ky edicion special i Barometrit Kosovar të Sigurisë zbërthen perceptimin publik në Kosovë ndaj korrupsionit, sundimit të ligjit dhe integritetit policor. Ky raport ofron një interpretim gjithëpërfshirës dhe të hollësishëm të të dhënave në lidhje me perceptimin e opinionit publik, të bazuara në një grup pyetjesh të paracaktuara për çështjen në fjalë.

Në këtë drejtim, ky raport elaboron perceptimin e të anketuarve të Barometrit Kosovar të Sigurisë për vitin 2018 ndaj besueshmërisë, kontakteve të drejtpërdrejta dhe pranisë së korrupsionit në këto institucione: Gjykata, Prokurori, Policinë e Kosovës dhe komunat. Në këtë mënyrë, raporti ka matur perceptimet publike mbi këto institucione me qëllim të analizimit të çështjeve më relevante që sfidojnë sundimin e ligjit dhe integritetin e institucioneve të drejtësisë, sigurisë dhe atyre komunale në Kosovë.

Ky raport përbëhet nga tre pjesë:

Pjesa e parë prezanton nivelin e besimit të shprehur nga të anketuarit në institucionet përkatëse (institucionet e drejtësisë, sigurisë dhe komunale), si dhe kontaktet e drejtpërdrejta të të anketuarve me këto institucione gjatë vitit 2018. Ngjashëm me vitet e kaluara, institucionet e sigurisë gëzojnë besueshmërinë më të madhe kur rezultatet krahasohen me institucionet e tjera të analizuara në këtë edicion special.

Pjesa e dytë e raportit interpreton kërcënimet dhe rreziqet kyçe ndaj sigurisë në Kosovë. Duke qenë se korrupsioni është renditur si problemi më i madh për sigurinë kombëtare të Kosovës, kjo pjesë përqendrohet në pikëpamjet e të anketuarve ndaj korrupsionit në institucionet kosovare. Përveç interpretimit të përgjithshëm të të dhënave për korrupsion në Gjykata, Prokurori, Policinë e Kosovës dhe komuna, raporti ofron analizën e kryqëzuar të të dhënave për të gjitha institucionet sipas rajonit, zonave rurale/urbane, përkatësisë gjinore dhe etnike të të anketuarve.

Ndërkohë, pjesa e tretë ose e fundit e raportit ofron një interpretim të hollësishëm të pyetjeve të hapura dhe të mbyllura të anketës së vitit 2018 të Barometrit Kosovar të Sigurisë për çështjet kryesore që dëmtojnë integritetin e policisë në Kosovë. Rrjedhimisht, rezultatet që paraqesin mendimet e të anketuarve për korrupsionin në kuadër të sektorëve të Policisë së Kosovës, ofrojnë një pasqyrë më të qartë mbi atë se cilët sektorë të Policisë së Kosovës janë më shumë dhe më pak të korruptuar. Për më tepër, analiza e të dhënave përmes rezultateve të kryqëzuara (bazuar në rajone, zona, përkatësi gjinore dhe etnike) siguron një shtjellim shterues të qëndrimeve të të anketuarve ndaj korrupsionit në Policinë e Kosovë.

Marrë parasysh se anketa e Barometrit Kosovar të Sigurisë u realizua në gjysmën e dytë të vitit 2018 (shtator-tetor 2018), ky raport nuk i pasqyron disa nga zhvillimet që kanë ndodhur nga prej nëntorit të vitit 2018 deri në mars të vitit 2019.

Ky raport është publkuar në kuadër të programit Barometri Kosovar i Sigurisë. Perceptimet e paraqitura në këtë  raport janë përmbledhje e përgjigjeve të marra nga të anketuarit dhe tregojnë mënyrën si i perceptojnë ata institucionet. Ky nuk është vlerësim përfundimtar i punës së institucioneve që janë temë e këtij studimi. Raporti do t’u shërbejë atyre si instrument për të adresuar mangësitë e mundshme, por edhe si tregues i efektivitetit të komunikimit të tyre me qytetarët.

Pikëpamjet e paraqitura në këtë raport janë perceptimet e të anketuarve  dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë. Opinionet e shprehura në këtë raport nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e National Endowment for Democracy (NED).