Legjitimimi i misioneve të huaja: Dekonstruktimi i perceptimeve të qytetarëve ndaj EULEX-it në Kosovë

Publikuar nga:

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)

Titulli:

Legjitimimi i misioneve të huaja: Dekonstruktimi i perceptimeve të  qytetarëve ndaj EULEX-it në Kosovë

Autore:

Emma-Louise Rose

Data:

31 gusht 2020

 

EULEX-i është i pranishëm në Kosovë për më shumë se një dekadë (që nga viti 2008), me qëllim krijimin dhe përmirësimin e institucioneve të sundimit të ligjit, pa korrupsion dhe ndërhyrje politike dhe duke përqafuar standardet e njohura ndërkombëtarisht. EULEX-i shoqërohet nga misione të tjera ndërkombëtare në Kosovë, gjegjësisht KFOR-i i cili ka mandatin të garantojë mbrojtje dhe siguri për qytetarët e Kosovës. Nga ana e BE-së, EULEX-i është misioni më i madh civil që ajo ka ndërmarrë ndonjëherë në përpjekje për të forcuar atë që konsiderohet si pika më e dobët e BE-së: politika e jashtme dhe e sigurisë.

Përkundër pranisë së tij të gjatë, EULEX-i nuk e ka fituar besimin e qytetarëve të Kosovës. Barometri Kosovar i Sigurisë (BKS) që punohet çdo vit nga QKSS ka matur në vazhdimësi besimin që kanë qytetarët e Kosovës ndaj misionit dhe ka gjetur që shifrat janë vazhdimisht të ulëta, krahasuar me institucionet e tjera vendore dhe ndërkombëtare. Mungesa e besimit, dhe rrjedhimisht e mbështetjes, nga publiku me sa duket buron nga shumë fusha të ndryshme, veçanërisht neutraliteti i BE/EULEX-it për çështjen e pavarësisë së Kosovës (për shkak të mosnjohjes nga 5 shtete anëtare) dhe dështimi për të kryer misionin e tij. Bazuar në matjet sasiore të BKS, mungesa e besimit ka mbetur mjaft e qëndrueshme ndër vite, me të gjitha statistikat e dhëna brenda 15% të njëra-tjetrës (midis 16% dhe 31%), ku niveli më i ulët i besimit u regjistrua në 2015. Kjo solli në dyshim legjitimitetin dhe mbështetjen e publikut për misionin.

Në këtë punim shqyrtohen vitet kur BKS ka matur besimin e publikut ndaj misionit dhe ngjarjet përkatëse lidhur me misionin që kanë ndodhur në ato vite dhe ka analizuar arsyet e dhëna për mungesën e besimit si në edicionet e ndryshme të BKS-së ashtu edhe në burime të tjera, siç janë revistat akademike, studimet e kryera nga studiues të tjerë dhe raportet e dorës së parë nga personat që kanë qenë të përfshirë në mision. Gjetjet kryesore ishin që publiku asnjëherë nuk ka pasur besim të madh ndaj EULEX-it, por prapë e sheh BE-në si një aspekt pozitiv meqë dëshiron që Kosova të bëhet shtet anëtar. Ekzistojnë gjithashtu dallime rajonale dhe etnike në nivelet e besimit, të cilat mund të shpjegohen me çështjet e sovranitetit dhe veprimtarisë së EULEX-it në treva të ndryshme të Kosovës. Në përgjithësi, ky punim vë në pikëpyetje nëse EULEX-i ka ende mandat të mbetet në Kosovë duke pasur parasysh se fitimi i besimit, si të shqiptarëve të Kosovës ashtu edhe të serbëve të Kosovës, duket një detyrë pothuajse e pamundur, dhe për faktin që ka bërë pak për të përmirësuar situatën në Kosovë përkundër narrativit të tyre publik duke pretenduar të kundërtën.