Pikëpamjet e qytetarëve ndaj ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit në Kosovë

Publikuar nga:

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë

Titulli:

Barometri Kosovar i Sigurisë – Edicion Special

Pikëpamjet e qytetarëve ndaj ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit në Kosovë

Autore:

Vesë Kelmendi

Data:

13 Qershor 2016

Barometri Kosovar i Sigurisë (BKS) është program i veçantë i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), i hartuar për të shërbyer si publikim vjetor. Përveç gjetjeve të përgjithshme, programi nxjerrë edicione speciale në fusha të përcaktuara paraprakisht. Fokusi kryesor i BKS-së është matja e perceptimeve të opinionit publik për institucionet dhe politikëbërjen në fushën e sigurisë. gjithashtu, ai matë perceptimin publik për kërcënimet e brendshme dhe të jashtme ndaj sigurisë në Kosovë.

Ky edicion special i BKS-së i drejtohet një game të gjerë të akterëve që janë të interesuar t’i përcjellin perceptimet e qytetarëve për ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin në Kosovë. Më saktësisht, ai i drejtohet një audience që është e interesuar t’i ndjekë trendet e opinionit publik në Kosovë, me theks të veçantë në besueshmërinë dhe kontaktin e qytetarëve të Kosovës në raport me institucionet fetare në Kosovë, kërcënimet dhe rreziqet që burojnë nga formacionet terroriste siç janë: ISIS dhe AL-Nusra; perceptimin për rehabilitimin e të kthyerve nga Siria dhe Iraku si dhe perceptimet për strategjinë e Qeverisë së Kosovës që merret me këtë dukuri. Në përgjithësi, BKS-ja u drejtohet politikbërësve në nivel shtetëror, aktorëve ndërkombëtarë në Kosovë, si edhe organizatave vendore, komuniteteve fetare, shoqërisë civile, komunitetit akademik dhe mediave.