Shpjegimi i dallimit: Cenueshmëria dhe Qëndrueshmëria ndaj Ekstremizmit të Dhunshëm në Kosovë

Publikuar nga:

Berghof Foundation dhe Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë

Titulli:

Shpjegimi i dallimit: Cenueshmëria dhe Qëndrueshmëria ndaj Ekstremizmit të Dhunshëm në Kosovë

Autore:

Rudinë Jakupi dhe Garentina Kraja

Data:

24 tetor 2018

Ky raport është një studim cilësor që synon të kuptojë dhe kontekstualizojë dinamikat në nivel komuniteti në zonat që janë prekur ose nuk janë prekur nga ekstremizmi i dhunshëm në Kosovë gjatë gjashtë viteve të fundit. Deri më sot, shumica e hulumtimeve mbi ekstremizmin e dhunshëm të kryera në Ballkanin Perëndimor bazohen në faktorët shtytës dhe tërheqës (UNDP 2017c) që kanë nxitur dhjetëra individë nga mbarë rajoni të bashkohen me organizatat terroriste në Lindjen e Mesme, kryesisht në Siri dhe Irak. Të dyja këto vende janë në luftë civile dhe trazira politike të zgjatura që i kanë kthyer në simbole të fushëbetejave ideologjike të shekullit 21.

Në këtë studim, hulumtueset eksplorojnë dinamikat e brendshme të cilat mund të ketë nxitur ose parandaluar ekstremizmin e dhunshëm në një mjedis të caktuar. Ndryshimi i fushëveprimit nga faktorët individualë tek aktorët me bazë në komunitet dhe faktorët që përcaktojnë rrugëtimin drejt radikalizimit ka mundësi t’u jap politikëbërësve përgjigje urgjente në lidhje me intervenimet e synuara që do të adresonin dobësitë strukturore dhe do të mbështesnin pikat e forta të caktuara që mund t’i bëjnë komunitetet rezistente, ose të paktën mund t’i pajisin atë që të merren me kërcënimet e ardhshme për sigurinë e tyre. Prandaj, qëllimi i këtij hulumtimi është që të identifikojë faktorët që i bëjnë këto komunitete të cenueshme ose të qëndrueshme, dhe të përpiqet të mat, përmes një spektri të gjerë aktorësh, ndikimin e këtyre faktorëve në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.  Pjesa e mbetur e këtij raporti do të trajtojë strukturën e hulumtimit dhe terminologjinë e përdorur në këtë hulumtim (Seksioni 2), informacione të përgjithshme për vendin (Seksioni 3), gjetjet kyçe mbi faktorët dhe akterët që ndikojnë në qëndrueshmërinë ose cenueshmërinë e komunitetit ndaj ekstremizmit të dhunshëm (Seksioni 4), një vlerësim i programeve të PEDH-së dhe lidhjeve të tyre të mundshme me iniciativat për ndërtimin e paqes (Seksioni 5), dhe në fund disa vërejtje dhe rekomandime përmbyllëse (Seksioni 6).

Ky studim mbi ekstremizmin e dhunshëm në Kosovë është pjesë e iniciativës rajonale “Mundësitë për të Parandaluar Ekstremizmin e Dhunshëm në Ballkanin Perëndimor” që përfshinë Shqipërinë, Bosnje e Hercegovinën dhe Maqedoninë. Në këtë hulumtim, me ndihmën e partnerëve tonë vendor, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka hulumtuar dhe analizuar dallimet mes komuniteteve që janë prekur nga fenomeni i ekstremizmit të dhunshëm dhe atyre që i kanë bërë ballë atij. Gjetjet e këtyre studimeve do të shërbejnë si bazë për të avokuar dhe për të ndërmarrë nisma për dialog në niveli komuniteti në bashkëpunim me akterët e ndryshëm lokal për të zhvilluar dhe hartuar strategji efektive për parandalimin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm në Ballkanin Perëndimor.

Ky projekt dhe raportet e dala nga ky proces janë financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë.