Thyerja e miteve të ISIS-it; Si të kundërveprohet ndaj narrativës së ISIS-it në Internet? - Rasti i shteteve shqip-folëse

Publikuar nga:

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)

Titulli:

Thyerja e miteve të ISIS-it; Si të kundërveprohet ndaj narrativës së ISIS-it në Internet? - Rasti i shteteve shqip-folëse

Autore:

Rudinë Jakupi dhe Vesë Kelmendi

Data:

13 Mars 2019

Ky raport si qëllim kryesor ka përgjigjen e pyetjes përse komunikimi strategjik, kryesisht aspekti i kundër-mesazheve të tij, është vendimtar për çdo strategji që synon të luftojë radikalizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm dhe të minimizojë tërheqjen e organizatave terroriste mes grupeve të cenueshme.

Gjetjet kyçe janë:

Raporti identifikon tri tema kryesore të që përshkojnë narrativën e ekstremizmit të dhunshëm të “Shtetit Islamik”, ashtu siç iu paraqiten audiencave në Kosovë dhe vendet e tjera të shqipfolëse. Ato janë: marrëdhëniet e pushtetit politik, fetar dhe gjinor

● Raporti konstaton se agjencitë qeveritare nuk kanë ushtruar një përpjekje të komunikimit strategjik për kundërveprimin ndaj ekstremizmit të dhunshëm, përkundër rolit qendror që i kishin caktuar në Strategji. Në Kosovë nuk është parë asnjë kundër-narrativë konsistente e sponsorizuar nga institucionet publike apo OJQ-të që vazhdimisht zbatojnë projekte të parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm në nivel lokal dhe qendror.

● Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), organi që rregullon çështjet fetare për besimtarët myslimanë në Kosovë, i mungon një platformë e bashkërenduar dhe në unison, e cila ofron kundër-narrativa kundër grupeve ekstremiste.

● Disa imamë të BIK-ut i kanë botuar në mënyrë të pavarur në platformat e tyre personale të mediave sociale predikimet dhe ligjëratat e tyre që mund të shërbejnë si kundër-narrativa.

● Një kundër-mesazh i efektshëm ndaj narrativës së ekstremizmit të dhunshëm të identifikuar përmes këtij hulumtimi, është narrativa që mund të sigurohet nga ish-luftëtarët e kthyer dhe të rraskapitur të “Shtetit Islamik” dhe anëtarët e familjeve të tyre.

● Raporti konstaton se platforma si Fol Tash, një portal kundër-narrativ i drejtuar nga një grup imamësh të bashkësisë, dhe Jo në Emrin Tim, një përpjekje në media sociale e Radios Evropa e Lirë, nuk janë përfillur në ueb faqet dhe chat-grupet (faqet për biseda) që vazhdojnë të propagandojnë dhe përkrahin “Shtetin Islamik”.

● Si pjesë e këtij studimi, hulumtuesit gjurmuan zakonet e simpatizantëve të ekstremizmit të dhunshëm në mediat sociale. Nga të 80 profilet dhe 100 faqet e grupeve ekstremiste të monitoruara në Facebook, asnjëri nuk jep “pëlqej”, “ndjek” ose “ndaj” për asnjë nga videot, tekstet ose fotot nga dy faqet e kundër-narrativave. Kjo sinjalizon se ndërkohë që këto platforma mund të veprojnë si masë parandaluese me publikun e gjerë, ato nuk kanë arritur të shtrihen tek përkrahësit e grupeve ekstremiste që vazhdojnë të gjenerojnë dhe shpërndajnë përmbajtje ekstremiste në mediat sociale.

Ky raport është publikuar në kuadër të projektit "Parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm përmes përfshirës së të rinjve dhe komunitetit" i mbështetur nga Ambasada e Holandës në Kosovë. Pikëpamjet e shprehura në këtë hulumtim janë ato të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Ambasadës së Holandës në Kosovë.