Vlerësimi i Integritetit në Policinë e Kosovës

Publikuar nga:

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë dhe Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë

Titulli

Vlerësimi i Integritetit në Policinë e Kosovës

Autorë:

Plator Avdiu dhe Skender Perteshi

Data:

Dhjetor 2015

Qëllimi i këtij raporti është që të vlerësojë integritetin në kuadër të Policisë së Kosovës dhe të adresojë problemet dhe sfidat kryesore. Progresi dhe regresi i shënuar në lidhje me integritetin e policisë është vlerësuar përmes gjashtë seksioneve ose indikatorëvë; transparencës në punën e policisë; ndikimit të interesave politike në punën operative të policisë, menaxhimit të burimeve njerëzore, menaxhimit financiar, kontrollit të brendshëm dhe mbikëqyrjes së jashtme të punës së policisë. Meqë ky hulumtim është gjithëpërfshirës, si i tillë ofron analizë cilësore për rëndësinë e parimeve të integritetit me qëllim që Policia e Kosovës të mbahet llogaridhënëse, e ndershme dhe etike.

Ky studim ka nxjerr gjashtë gjetje kryesore. (i) Në përgjithësi, Policia e Kosovës është transparente sa i përket ofrimit të informatave për mediat dhe publikun. Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun e policisë është përgjegjëse për të zhvilluar të gjitha aktivitetet që ndërlidhen me transparencën. Megjithatë, policia është larg nga të qenit e përkryer në ketë aspekt. Duhet të ketë shumë më pak burokraci kur bëhet fjalë për qasjen në statistika, të dhëna dhe informata më të hollësishme për punën e policisë. Së këndejmi, Policia e Kosovës duhet të jetë më pro-aktive për të garantuar transparencën e saj me kohë ndaj kërkesave për informata nga mediat, organizatat joqeveritare dhe palët e tjera përkatëse.

(ii) Përderisa ka supozime se policia është nën kontrollin politik të pushtetit ekzekutiv, ky sektor mbetet një prej sektorëve më të ndjeshëm. Korniza e tanishme ligjore nuk garanton pavarësinë e plotë operative të policisë nga Qeveria e Kosovës dhe nga Ministria e Punëve të Brendshme. Menaxhmenti i lartë i policisë zgjedhet politikisht nga ministri i Punëve të Brendshme dhe nga kryeministri i vendit. Përveç kësaj, Policia e Kosovës është akuzuar se ka qenë nën presion politik gjatë protestave të opozitës në vitin 2015 kundër Qeverisë. Gjithashtu, shumica e qytetarëve të Kosovës besojnë se ndikimi politik në polici është shumë i fuqishëm.

(iii) Legjislacioni për rekrutimin dhe sistemin e gradimit konsiderohet të jetë i mirë. Megjithatë, Projektligji për Pensionimin e Parakohshëm të Zyrtarëve Policorë nuk është miratuar ende. Sfidat më të mëdha sa i përket menaxhimit të burimeve njerëzore në kuadër të policisë janë procesi i gradimit, pensionimi i parakohshëm dhe rekrutimi i zyrtarëve të rinj policorë. Policia e Kosovës konsiderohet ndër policitë më të ‘vjetra’ në rajon dhe për këtë arsye lind nevoja që ajo të reformohet. Policia ka gjithsej 7,634 pjesëtarë që janë në detyrë aktive. Ka nevojë që njësitë e policisë, personeli civil dhe zyrtarët policorë të gradave të ndryshme në kuadër të policisë të kenë trajnime shtesë për të përmirësuar më shumë përmbushjen e detyrave të sektorit të administratës policisë dhe autorizimeve policore.

(iv) Gjatë tri viteve të fundit, Policia e Kosovës ka qenë nën kritika lidhur me menaxhimin e fondeve publike, veçanërisht për sistemin e prokurimin publik. Ky sektor është kritikuar në raportet e organizatave vendore dhe ndërkombëtare se nuk është transparent, llogaridhënës dhe për mosrespektim të ligjit, si dhe për mospërfillje të procedurave të prokurimit publik. PK-ja ia ka dal që të krijojë trupat përgjegjëse për kontrollin e brendshëm dhe menaxhimin e financave publike, si Njësinë e Auditimit të Brendshëm dhe Drejtorinë e Prokurimit.

(v) Dokumentet ligjore dhe të politikave që rregullojnë mekanizmat e kontrollit të brendshëm të policisë funksionojnë mirë. Megjithatë, duhet të ketë më shumë përparim në forcimin e politikës së integritetit dhe për ta përcaktuar atë më mirë. Për më tepër, Policia e Kosovës nuk ka plan të vetin të integritetit dhe duhet të ketë teste të integritetit për të vlerësuar përmbushjen e detyrave nga ana e zyrtarëve policorë. Përkundër kësaj, çdo vit policia bën vlerësimin e përmbushjes së detyrave të zyrtarëve policorë përmes një pyetësori që ka të bëjë me punën e përditshme të secilit zyrtarë policor. Inspektorati Policor i Kosovës, që është një institucion i pavarur nga policia dhe që vepron në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, nuk ka qenë në gjendje të bëjë testet e integritetit për zyrtarët policorë.

(vi) Ka nevojë të përmirësohet mbikëqyrja e jashtme e punës së policisë nga institucionet mbikëqyrëse. Mbikëqyrja parlamentare ka qenë e pamjaftueshme për mbikëqyrjen e zbatimin e Ligjit për Policinë dhe aktiviteteve të tjera të Policisë së Kosovës gjatë viteve 2014 dhe 2015. Gjatë këtyre dy viteve, komisioni përkatës parlamentar nuk ka nxjerrë asnjë raport për mbikëqyrjen e policisë. Sa i përket deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë policorë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, kjo e fundit nuk ka mandat ligjor të verifikoj burimet financiare dhe materiale të pasurisë së deklaruar.

Ky raport botohet si pjesë e aktivitetit “Pulsi i Integritetit dhe Besueshmërisë në Polici në Ballkanin Perëndimor: POINTPULSE”. Ky aktivitet mbështetet nga Bashkimi Evropian përmes programit “Përkrahja e Shoqërisë Civile” në kuadër të Instrumentit për Asistencën e Para-Anëtarësimit (IPA). Përmbajtja e këtij raporti është përgjegjësi vetëm e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë dhe pikëpamjet e shprehura në këtë dokument nuk janë domosdoshmërisht pikëpamje të Bashkimit Evropian.