Zbërthimi i përgjigjes së Kosovës ndaj të kthyerve nga zonat e luftë në Siri dhe Irak

Publikuar nga:

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)

Titulli:

Zbërthimi i përgjigjes së Kosovës ndaj të kthyerve nga zonat e luftë në Siri dhe Irak

Autor:

Skender Perteshi dhe Ramadan Ilazi

Data:

29 janar 2020

Vlerësohet se në zonat e luftës në Siri dhe Irak kanë shkuar rreth 403 qytetarë të Kosovës, dhe në vazhdën e kolapsit të ‘Shtetit Islamik’ qeveria e Kosovës ka qenë e gatshme t’i riatdhesojë qytetarët e vet nga rajoni. Kjo paraqet një sfidë të konsiderueshme për qeverinë dhe sektorët jo-qeveritarë. Studimet ekzistuese tregojnë se krijimi i programeve që lehtësojnë dhe mbështesin riintegrimin e të kthyerve ka rëndësi thelbësore për përpjekjet e përgjithshme për parandalimin dhe kundërvënien ndaj ekstremizmit të dhunshëm. Ky raport synon të adrresojë një hendek në literaturën ekzistuese në lidhje me qasjet e Kosovës në mbështetjen e rehabilitimit/deradikalizimit si dhe të riintegrimit të të kthyerve. Duke u fokusuar në infrastrukturën institucionale dhe të politikave, ky raport hedh dritë mbi rëndësinë e të pasurit një përgjigje holistike (qeveritare + joqeveritare + komuniteti), një përgjigje koherente dhe të koordinuar për t’i përmbushur nevojat e të kthyerve dhe për t’i adresuar me efektivitet sfidat ër riintegrimin e tyre social dhe ekonomik, si dhe për shkëputjen ideologjike.

Ky raport konstaton se, në përgjithësi, qeveria e Kosovës dhe shoqëria civile janë përgjigjur pozitivisht ndaj nevojave të të kthyerve dhe kanë mbështetur riintegrimin e tyre, pavarësisht mangësive me shtrirjen e zbatimit të zotimeve të proklamuara ndaj të kthyerve. Pas mbërritjes në Kosovë, institucionet ofrojnë kujdes mjekësor, strehim të përkohshëm, seanca të shëndetit mendor, ndërkohë që bëhet përgatitja e tyre për riintegrim në shoqëri. Kosova ka dy qasje të përgjithshme ndaj të kthyerve: qasjen ndëshkuese-restorative dhe programet e riintegrimit shoqëror. Pas një periudhe prej 72 orësh, të kthyerit merren në pyetje nga autoritetet për të përcaktuar rolet e tyre në zonat e luftës në Siri dhe Irak, ndërsa për luftëtarët e konfirmuar të huaj merret masa e arrestit. Grupi i parë i masave trajton ata kosovarë për të cilët konstatohet se kanë kryer veprën penale të pjesëmarrjes në një konflikt të huaj, në përputhje me legjislacionin kombëtar. Ndërsa në shërbimin korrektues, luftëtarëve të huaj u ofrohet qasje në programe që synojnë t’u ndihmojnë me zhvillimin e shkathtësive që rritin punësueshmërinë e tyre, përfundimin e arsimimit, si dhe trajnime dhe ligjërata që trajtojnë besimet radikale fetare.

Në të njëjtën kohë, qeveria ka krijuar një divizion të posaçëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme për të punuar ekskluzivisht në koordinimin dhe ofrimin e mbështetjes për procesin e riintegrimit të të kthyerve. Të kthyerit mbështeten me strehim, regjistrimin e fëmijëve në shkollë, një paketë të ndihmës financiare emergjente, seanca këshillimore dhe mbështetje  të vazhdueshme përmes skemës së ndihmës sociale. Raporti konstaton edhe se shumica e të kthyerve janë rikthyer me sukses në shoqëri, dhe kjo si rezultat i lidhjeve të forta të bashkësisë dhe familjes. Lidhjet familjare dhe të bashkësisë ishin thelbësore edhe për të siguruar riintegrimin efektiv të fëmijëve jetimë. Ky është një demonstrim i një kohezioni të fortë social në Kosovë, çka siguron faktorin më të rëndësishëm kur shqyrtohet riintegrimi i të kthyerve. Shënimet nga katër grupet e fokusit në katër rajone të ndryshme të Kosovës: Prizren, Mitrovicë, Gjilan dhe Kaçanik, konfirmojnë se të gjithë qytetarët janë të hapur ndaj të kthyerve dhe nuk kanë qasje diskriminuese që do të pengonin riintegrimin e tyre. Këto zhvillime tregojnë se efektiviteti më i lartë në riintegrimin e të kthyerve arrihet kur ky proces nuk është krejtësisht i orkestruar ose menaxhuar nga qeveria, por lehtësohet nga komuniteti dhe lidhjet e forta familjare. Raporti konstaton edhe se në praktikë qeverisë i mungojnë politikat koherente dhe ka mangësi serioze me koordinimin dhe përfshirjen e shoqërisë civile në proces.

Ky projekt është mbështetur nga Instituti Ndërkombëtar Republikan (IRI). Pikëpamjet e shprehura në këtë hulumtim janë ato të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të IRI-t.